Këngëtarja shqiptare me sukses ndërkombëtar, Era Istrefi, së fundmi publikoi klipin e saj më të ri me reperin e famshëm rus, Eldzhey.
Kënga e tyre “Sayonara Детка” është pritur mirë nga mijëra fansa edhe kur ishte e publikuar vetëm në versionin audio, teksa dyshja menduan ta sjellnin së fundmi për publikun edhe në anën vizuale.
Mirëpo ajo çfarë ra në syrin e shikuesve të këtij klipi në YouTube, ishte fakti se Era dhe reperi rus ishin detyruar të shkruanin +18 në titullin e videos, kjo për shkak se duhej bërë me dije që klipi nuk preferohej për personat nën moshën 18 vjeçare.
E krejt kjo duket të ketë ndodhur për shkak se klipi është publikuar në kanalin zyrtar të Saynara Boy në Rusi – shtet ky në të cilin ka censurë mediatike dhe sociale.
Era u shfaq mjaft atraktive dhe provokuese në këtë klip, por nuk ishte zhveshja e saj më e madhe ndonjëherë apo paraqitja më eksplicite që ka pasur në ndonjë klip – me pak fjalë mund të quhet një klip i skenave mesatare që shfaqin shumica e femrave në estradën shqiptare.
Por pavarësisht të gjithave, censura e shtetit rus nuk e lejon që një klip me përmbajtje të tilla, të jetë i disponueshëm për të gjithë popullatën dhe të mos paralajmërohet paprapakisht përmbajtja e tij.
Ndërkohë që në trevat shqiptare, mund të shohim shumë këngëtare me skena eksplicite apo reperë me fjalor të pisët, që pavarësisht përmbajtjes së papërshtatshme që mund të ketë projekti i tyre, ata nuk janë të prekur nga censura.
Nga një vështrim i lehtë i bërë në internet, mund të shihet se censura është pjesë mjaft e rëndësishme dhe e kahmotshme e tregut mbarë-social në Rusi.
Censura e Internetit në Federatën Ruse zbatohet në bazë të disa ligjeve dhe përmes disa mekanizmave. Që nga viti 2012, Rusia mban një listë të zezë të centralizuar në internet (e njohur si “regjistri i vetëm”) i mirëmbajtur nga Shërbimi Federativ për Mbikëqyrjen e Komunikimeve, Teknologjisë së Informacionit dhe Median Masive.
Lista përdoret për censurimin e URL-ve individuale, emrave të domain-ve dhe adresave IP. Fillimisht u krijua për të bllokuar vendet që përmbajnë materiale që mbrojnë abuzimin e drogës dhe prodhimin e saj, përshkrimet e metodave të vetëvrasjeve dhe që përmbajnë pornografi për fëmijë. Më pas u ndryshua për të lejuar bllokimin e materialeve që klasifikohen si ekstremiste duke i përfshirë ato në Listën Federale të Materialeve Ekstremiste. /Telegrafi/