Një kafe si flutur është fushatë senzibilizuese në luftën kundër COVID-19 në Republikën e Kosovës.
Kjo fushatë ka dy objektiva kryesore: ngritjen e fondeve me të cilat do të mbështeten institucionet shëndetësore me pajisje dhe materiale të nevojshme për ta luftuar COVID-19 dhe shpërndarjen e informatave dhe këshillave nga burime të sigurta tek qytetarët në mënyrë që ta ngrisim vetëdijen se si ta ndalojmë shpërndarjen e COVID-19.
Në njoftim thuhet se fondet e mbledhura në kuadër të fushatës NJË KAFE SI FLUTUR do të menaxhohen nga organizata joqeveritare “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”.
“Personeli shëndetësor po bëjnë punë të jashtëzakonshme në institucionet tona shëndetësore anembanë Kosovës, e veçanërisht në Klinikën Infektive në Prishtinë. Anipse atyre iu mungojnë shumë pajisje dhe materiale shpenzuese, gjë që e rritë rrezikshmërinë e tyre nga infektimi me virus, ekipet mjekësore po vazhdojnë me shumë vullnet që ta japin kontributin e tyre për qytetarët e vendit tonë”, thuhet në njoftim.
Duke e ditur që gjendja përgjatë ditëve të ardhshme mund të përkeqësohet, me ç ‘rast nevoja për më shumë pajisje mjekësore dhe materiale të tjera bazike do të rritet, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë kanë ndërmarrë këtë nismë që t’i mbështesin institucionet shëndetësore që këtë sfidë ta përballojnë sa më lehtë dhe pa ju munguar asgjë.
“Në këto ditë të jashtëzakonshme ku të gjithë qëndrojmë të distancuar dhe të izoluar nga njëri-tjetri, të bashkohemi që atë 1 euro për kafen e mëngjesit t’ia dhurojmë vendit tonë dhe atyre që po punojnë me lehtësinë e fluturës. Donacionet tuaja mund t’i jepni duke dërguar SMS nga operatori VALA në numrin 55049. Nëse dëshironi të dhuroni më shumë se 1 euro, këtë mund ta bëni duke dërguar SMS disa herë, ose duke dhuruar online në platformën GlobalGiving në këtë link: http://goto.gg/45835”.
Fondet e mbledhura në kuadër të fushatës NJË KAFE SI FLUTUR do të menaxhohen nga organizata joqeveritare “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, ndërsa secili donator do të mund të ketë qasje në informata se ku dhe si janë shpenzuar këto fonde përmes informimit online, duke përcjellë faqen në ndonjë nga rrjetet sociale si Facebook, Instagram, Twitter ose Linkedin.
Fondet e mbledhura do të përdoren për t’i siguruar pajisjet dhe materialet e nevojshme të cilat janë identifikuar në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera shëndetësore. /Telegrafi/