Site icon Telegrafi

Një javë i zhdukur, gjyshja në Durrës dorëzon në polici 3-vjeçarin

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se si rezultat i presionit policor, kërkimeve të shumta dhe negociatave, sot është vetëdorëzuar shtetasja B. Gj., së bashku me nipin e saj 3-vjeçar, të cilin e mori nëna e tij, në gjendje të mirë shëndetësore.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

“Është dorëzuar në Prokurorinë e Durrësit 3-vjeçari i zhdukur prej më shumë se një jave. Dorëzimi u bë nga gjyshja e 3-vjeçarit pas presionit policor, kërkimeve të shumta dhe negociatave.

Sipas Policisë, 3-vjeçari është në gjendje të mirë shëndetësore dhe pas dorëzimit u mor nga nëna e tij”, thuhet tutje, raporton Telegrafi.

Komisariati i Policisë Durrës ka vijuar punën kërkimore dhe hetimore, për gjetjen e 3-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, për të cilën deri tani janë arrestuar shtetasit R. Gj. (gjyshi) dhe A. S. (vëllai i gjyshes), të dyshuar si bashkëpunëtorë për rrëmbimin e 3-vjeçarit.

Në këtë kuadër janë kryer një tërësi veprimesh hetimore dhe kontrolle të shumta në Durrës, Has, Kukës dhe Tiranë.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Taulant Balla.

“Amari i vogël 3 vjeçar sapo mbërriti në krahët e nënës së tij. Ndërsa i takon drejtësisë të vendosë, edhe dashuria e gjyshërve nuk do të mungojë për Amar. Kjo është një nga ato situata për të cilat, nuk gjenden dot fjalët. Përgëzime Drejtorisë së Policisë, Durrës”, shkruan ai. /Telegrafi/

Exit mobile version