Një grua 95-vjeçe nga Australia që vuante nga demenca, ka ndërruar jetë në spital, një javë pasi që policia e kishte goditur me elektroshok në shtëpinë e pleqve.
Incidenti ndodhi javën e kaluar, kur zyrtarët policorë arrin në shtëpinë e pleqve në Yallambee Lodge në Coom, pas raportimit se 95-vjeçarja Clare Nowland po ecë me thikë në dorë, transmeton Telegrafi.
Kur policia u fut në objekt, e gjeti Nowlandin me një thikë mishi. Zyrtarët policorë dhe punonjësit e shtëpisë së pleqve tentuan ta qetësojnë situatën, por 95-vjeçarja iu vërsul policisë, ku si pasojë u godit me elektroshok.
“Po përdorte një lloj karroce për të lëvizur. Kishte thikë në dorë”, thanë nga policia australiane, raporton BBC.
Miku i familjes së gruas së moshuar, Andrew Thaler pretendon se ajo u godit dy herë me elektroshok, në gjoks dhe shpinë, ku si pasojë u rrëzua në tokë dhe pësoi lëndime dhe gjakderdhje të brendshme në tru.
E policia për këtë incident po akuzon zyrtarin policor Kristian White, mbi të cilin rëndojnë tri vepra penale, shkaktim i lëndimit trupor nga pakujdesia, sulm fizik me lëndime të rënda si dhe sulm i “thjeshtë” fizik.
Ai është suspenduar pa pagesë, kurse në bankën e të akuzuarve pritet të shfaqet më 5 qershor. /Telegrafi/