Telegrafi

Një javë e mbarë për futbollin kosovar – paraqitje të shkëlqyera nga Kosova U19, U21 dhe ekipi A

Gjithçka nisi ditën e enjte kur Kosova U19 mori një fitore më se të merituar ndaj Austrisë U19 (1-0), duke e nisur me këmbë të mbarë në Elite Round.

‘Dardanët’ e rinj nën udhëheqjen e përzgjedhësit Adil Maliqi siguruan tri pikë pas një autogoli të Austrisë që u shënua në minutën e 49-të të takimit, duke bërë një hap gjigant në ‘luftën’ për të siguruar një vend në Kampionatin Evropian U21, që do të mbahet në Sllovaki në 2025.

Pengesa e radhës për djelmoshat e U19 do të jetë Spanja, ndeshje kjo që do të luhet të shtunën me fillim nga ora 16:00.

Por, kjo nuk e ishte e tëra çfarë na premtoi Kosova gjatë kësaj jave. Rezultat të madh morën edhe Kosova U21, që arritën t’i shkëputin Gjermanisë një pikë të vlefshme në udhëtim, duke luftuar 90 minuta në fushë me vetëmohim.

Një përfaqësuese si ajo e Gjermanisë hasi në një rezistencë të fortë në mbrojtjen që udhëhiqej nga Ardi Ajdini, produkt i futbollit kosovar, i cili e ‘heshti’ Youssoufa Moukokon, sulmuesin e Dortmundit që vlen miliona.

Foto: Andi Hoti vs Youssoufa Moukoko

Deri në përfundim të ciklit kualifikues, të besuarit e Afrim Tovërlanit do të luajnë edhe tri ndeshje – ndaj Izraelit, Polonisë, dhe do ta mbyllin me Estoninë në udhëtim.

Qershinë mbi tortë kësaj jave të mbarë për futbollin kosovar, ia vunë djemtë e Kosovës A, që shënuan fitore me rezultat minimal 1-0 ndaj Armenisë në udhëtim, e cila ishte e para nën drejtimin e gjermanit Franco Foda.

Të uritur për rezultat pozitiv dhe të gatshëm për t’i aplikuar në fushë idetë e trajnerit, Kosova dominoi kundërshtarin në këtë sfidë, ndonëse mungoi finalizimi i aksioneve.

Milot Rashica ishte lojtari që u përkujdes për t’i dhënë fitoren Kosovës pas golit të shënuar në pjesën e parë të takimit.

E filluam me rezultate pozitive dhe e mbyllëm në të njëjtën mënyrë, një javë si kjo na bënë të besojmë dhe të shpresojmë se e ardhmja premton shumë për ‘Dardanët’./Telegrafi/