Një person në Itali ka publikuar një video shqetësuese, pasi u detyrua të izolohej me trupin e vdekur të motrës së tij për 36 orë, që dyshohet se vdiq nga coronavirusi.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shërbimet funerale nuk pranuan të heqin trupin e Teresa Franzese, 47-vjeçe, e cila vdiq të shtunën në mbrëmje në Napoli të Italisë.
Vëllai i saj njëherit aktori Luca Franzese, i cili luajti në shfaqjen e njohur televizive Gomorra, kishte publikuar një video në Facebook duke kërkuar ndihmë.
Në videon e plasuar ai kishte deklaruar se Italia i kishte braktisur ata.
“E bëra këtë video për të mirën e Italisë, për të mirën e Napolit”, ka thënë Franzese.
“Motra ime vdiq mbrëmë, me gjasë nga virusi, ndërkohë unë po pres përgjigje që nga nata e kaluar”, shprehet ai.
“Më duhej të detyroja ata të vinin e të më testonin, ndërsa u futa në izolim me dyshimin që mund të jem i infektuar”, thotë Franzese.
“Për ta mbajtur motrën time gjallë, unë u përpoqa t’i jepja ndihmën e parë, ndërsa askush nuk kujdesej, e askush nuk po më thërret, jemi të rrënuar, Italia na ka braktisur”, ka thënë ndër tjerash.
Raportohet se disa anëtarë të familjes, përfshirë fëmijë dhe prindërit e moshuar të viktimës, u detyruan të qëndrojnë në shtëpi me kufomën e saj.
Ndërkohë e gjithë Italia është vendosur në karantinë, ndërsa numri i rasteve ka shkuar në 10 mijë.