A na “kalojnë para syve” vërtet imazhet nga jeta?
Ndërsa pacientit tetëdhjeteshtatëvjeçar me epilepsi po i mateshin valët e trurit, ekipi i shkencëtarëve u befasua nga situata.
Gjatë ekzaminimit, pacienti pësoi një atak fatal në zemër, i cili çoi në një imazh të papritur të trurit që po vdiste, transmeton Telegrafi.
U zbulua se 30 sekonda para dhe pas një ataku në zemër, valët e trurit të pacientit ndiqnin të njëjtin model si kur ëndërrojmë ose kujtojmë kujtimet.
Ky lloj aktiviteti i trurit tregon se fenomeni i “kalimit të jetës para syve” po ndodh realisht në momentet e fundit, thotë ekipi në një studim të botuar në botimin shkencor Frontiers in Aging Neuroscience.
Dr. Ajmal Zemmar, bashkautor i studimit, i tha BBC-së se një ekip kanadez nga Vankuveri e zbuloi këtë rastësisht.
“Kjo ka ndodhur krejtësisht rastësisht. Ne nuk kemi planifikuar të bëjmë këtë lloj eksperimenti,” tha Zemmar.
Nëse gjetja e tyre do të thotë se secili prej nesh do të shohë disa kujtime dhe njerëz të dashur para se të vdesim, Zemmar shton se është e pamundur të thuhet me siguri.
“Nëse do të më duhej të hyja në fushën e filozofisë, do të spekuloja se nëse truri vërtet përjeton diçka të tillë, atëherë ndoshta do të kujtonte momentet e bukura, jo ato të shëmtuara”, theksoi doktori kanadez, duke shtuar se kjo varet nga personi në person se çfarë do të veçonte truri i tyre si momente goditëse. /Telegrafi/