Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, njoftoi të martën se Presidenti Donald Trump dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, do të takohen në Hotel Capella në Sentosa Island në Singapor më 12 qershor.
“Vendi për Samitin e Singaporit midis Presidentit dhe udhëheqësit Kim Jong Un do të jetë hoteli Capella në ishullin Sentosa”, shkroi Sanders.
Dhe siç bëjnë të ditur mediat e huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për vendpushimin që shtrihet në 32 hektarë tokë në ishullin Sentosa përgjatë Detit të Kinës Jugore dhe ka 112 dhoma, suita, vila dhe dërrasa, sipas faqes së saj të internetit.
Nuk është e qartë saktësisht se ku Trump dhe Kim do të qëndrojnë në hotel, por raportet e mëparshme kanë sugjeruar që udhëheqësi i Koresë së Veriut dëshiron një suitë dhe se qeveria amerikane mund të paguajë për të.
Takimi i Trump dhe Kim, gjegjësisht çështjet që do të diskutohen në të nuk janë bërë saktësisht të ditura, edhe pse në ditët e fundit administrata Trump ka tentuar të zbusë pritjet e asaj që mund të ndodhë gjatë samitit, sidomos pas javëve të “hezitimit” nëse takimi do të ndodhte.
Në fund të majit, Trump anuloi samitin pas komenteve agresive nga qeveria e Koresë së Veriut. Por SHBA dhe Koreja e Veriut kanë punuar për të “ringjallur” takimin, dhe më 1 qershor, Trump njoftoi se ai do të mund të mbahej.
Megjithatë, samiti fillimisht ishte i lidhur me mundësinë e diskutimeve ndërmjet Trump dhe Kim për të kërkuar denuklearizimin e Koresë së Veriut.
Gjithsesi, së fundmi Shtëpia e Bardhë e ka përshkruar atë si një hap të parë në një proces kompleks dhe potencialisht të gjatë. /Telegrafi/