Një ushtar në një mision të rrezikshëm për të mbledhur informacione të rëndësishme brenda Shtetit Islamik. Jo vetëm kaq, por ai vrau edhe gjashtë luftëtarë armiq. Njihuni me heroin e forcave speciale irakiane, Mohammed Qasim, i mbiquajtur edhe Luani i Mosulit.
Ai u maskua si një nga fanatikët e ISIS dhe i bindi ata se ishte një prej tyre. Informacionet që u dërgoi kolegëve të tij i ndihmuan që të lokalizonin pozicionet e snajperëve dhe mitralierëve të Shtetit Islamik.
Mbrëmjen e shkuar, zyrtarët më të lartë të ushtrisë kanë vlerësuar 25-vjeçarin. Gjenerali Abdul Wahab al-Saadi tha: “Ne të gjithë jemi krenarë për atë që ka bërë ky ushtar. Ai është një burrë i zoti. Ai na bën të gjithëve të mbajmë kokat lart”.
Ndërkohë që vazhdonin luftimet në rrethinat e Qytetit të Vjetër të Mosulit, Mohammed u përzie me trupat e ISIS, duke ndërruar armën e tij M4 me një AK-47. Ai mbështolli kokën dhe vuri shall.
Ai dhe një shok depërtuan pas vijave të armikut. Prej andej dhanë informacion jetik për pozicionet e ISIS. Pasi këto pozicione po binin, vetë Mohammed vrau gjashtë fanatikë të Shtetit Islamik.
Mendohet se misioni i tij, që zgjati për disa orë të enjten, mund të ketë shpëtuar jetën e dhjetëra ushtarëve dhe civilëve. /mapo/