Telegrafi

Një grua u hodh nga dritarja për të shpëtuar, tre të lënduar nga shpërthimi në një ndërtesë banimi në Gjermani

Tre persona u lënduan në një shpërthim dhe zjarr të shtunën vonë në një ndërtesë apartamentesh në qytetin perëndimor gjerman të Essen.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një grua u hodh nga dritarja për të shpëtuar veten, tha një zëdhënës i zjarrfikësve pa specifikuar se nga cili kat u hodh personi në fjalë.

Kur zjarrfikësit mbërritën, gruaja ishte e shtrirë në rrugë e lënduar rëndë përpara se të dërgohej në spital me djegie.

Dy banorë të shtëpisë fqinje janë trajtuar fillimisht në vendngjarje nga shërbimet e urgjencës dhe janë dërguar në spital me lëndime të lehta.

Tre persona të tjerë janë trajtuar gjithashtu nga shërbimet e urgjencës në vendngjarje, por nuk kanë mbetur të lënduar.

“Rruga është një skenë shkatërrimi, gjithçka është plot me mbeturina dhe xhama të thyer”, ka thënë zëdhënësi i zjarrfikësve.

Shkaku i shpërthimit fillimisht ishte i paqartë.

Por sipas gjetjeve fillestare, ngjarja filloi rreth orës 22:15 në një apartament në katin e parë. Prej aty zjarri është përhapur edhe në banesat e tjera të pallatit. Shtëpia dhe një ndërtesë fqinje janë dëmtuar. /Telegrafi/