Një tridhjetenjë vjeçare nga Kosova dje është mbytur në lumin e Treskës në Saraj, theksojnë nga MPB. Bëhet fjalë për M.C. nga Prishtina e cila ka qenë mysafir tek motra në Saraj, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Të dy motrat kanë qenë duke shëtitur përgjatë lumit Treska, ndërsa fatkeqësia ka ndodhur kur M.C. ka rrëshqitur dhe ka rënë në ujë.
Qytetarët në orën 16:55 e kanë lajmëruar ngjarjen nëpërmjet telefonit në Njësinë për informacion dhe komandë në Shkup, se në ujërat e Treskës në Saraj, në afërsi të një objektit hotelerik, është vërejtur një person grua e cila po kërkonte ndihmë në ujë.
“Nga ana e qytetarëve në afërsi të bregut dhe sipas njoftimeve të qytetarëve, ende ka pasur shenja jete. Por, kur ka arritur Ndihma e Shpejtë, mjeku ka konstatuar vdekjen e saj”, theksojnë nga MPB.
Prokurori Publik dhe një ekip nga SPB Shkup kanë kryer hetim në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të Prokurorit Publik trupi i pajetë është dërguar për autopsi në Institutin për mjekësi ligjore. /Telegrafi/