Site icon Telegrafi

Një grua hedh veten në erë në Tunizi, disa policë të lënduar – autoritetet e vlerësojnë si “shpërthim terrorist” (Foto)

Të paktën nëntë persona u plagosën kur një grua hodhi veten në erë, në qendër të kryeqytetit të Tunizisë, Tunis, thotë ministria e brendshme.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, tetë nga të lënduarit në shpërthimin në rrugën Habib Bourguiba, që kalon nëpërmes të qytetit, ishin oficerë policie.

Po sipas mediave, autoritetet e kanë përshkruar shpërthimin, pranë Teatrit Komunal, si një “shpërthim terrorist”.

Për fat të mirë, asnjë i vdekur nuk është raportuar në këtë fazë.

Pamjet nga skena tregojnë një numër të madh të personelit të shërbimit të urgjencës në zonë.

Sulmi vjen në një kohë kur industria jetike e turizmit në vend po fillon të tregojë shenja të rimëkëmbjes, më shumë se tre vjet pasi dy sulme terroriste vdekjeprurëse ua morën jetën dhjetëra vizitorëve.

I pari, një sulm në Muzeun Bardo të kryeqytetit në mars të vitit 2015, la 22 të vdekur. Vetëm disa muaj më vonë, në qershor, 38 persona u vranë në një vendpushim në Sousse. /Telegrafi/

Exit mobile version