Telegrafi

Një grindje e vogël mund të çojë në përplasje lokale

"Më duket se nuk ka vend për t’u çuditur shumë që ngjarje të tilla të vogla si p.sh. goditjet me thika të javës së kaluar të ndezin një zjarr dhe që aty ndodhin vazhdimisht përplasje, këto priten për shkak të gjendjes së pakënaqshme për të dyja palët”, ka thënë Altmann në një intervistë për Radion Deutsche Welle.

Sipas Altmannit, shqiptarët janë të pakënaqur, sepse gjërat nuk po shkojnë përpara, që vënia në jetë e planit të Ahtisaarit nuk po funksionon ashtu si duhet dhe serbët janë të pakënaqur, sepse po e shohin që një kthim i Kosovës tek Serbia është i papërfytyrueshëm.

“Kemi pra pakënaqësi nga të dyja palët dhe në raste të tilla edhe një grindje e vogël mund të çojë në përplasje lokale", ka vlerësuar ai.

Ndërsa pyetjes se përse zhvillime të tilla po ndodhin në këtë moment, Altman i përgjigjet: "Kjo nuk ka të bëjë patjetër me ndonjë situatë politike të veçantë, si thashë, një gjë e tillë ishte e mundur në çdo moment; kjo ka të bëjë me zvarritjen e dorëzimit të pushtetit tek administrata shqiptare nga njëra anë dhe me qëndrimin e përmbajtur të KFOR-it dhe të EULEX-it për marrjen e përgjegjësive në pjesën veriore të Kosovës nga ana tjetër. Për të dyja palët këto janë shkaqe të mjaftueshme për ta manifestuar pakënaqësinë në rrugë” /Telegrafi/.