Site icon Telegrafi

Një gol me dorë dhe një nga penalltia, Arsenali kthehet te fitoret (Video)

Arsenal është kthyer te fitoret pas dy dështimeve radhazi në Ligën Premier.

Skuadra e Arsene Wenger ka mposhtur Hull Cityn me rezultat 2-0 falë një goli kontravers të Alexis Sanchez në pjesën e parë dhe një në fund të ndeshjes nga penalltia.

Ndeshja nisi me sulme të të dyja skuadrave që kërkonin të shënonin golin e epërsisë.

Si vendasit ashtu edhe mysafirët kishin raste të mira shënimi por rrjetat mbetën të paprekura.

Megjithatë golin e parë në ndeshje e shënuan ‘Topçinjtë’ me anë të sulmuesit Alexis Sanchez.

Në fakt ishte një gol tejet i diskutueshëm, pasi Sanchez e futi topin në rrjetë me dorë në minutën e 34-të.

Edhe pse lojtarët e Hull u ankuan, gjyqtari kryesor e pranoi golin dhe me epërsinë 1-0 përfundoi pjesa e parë.

Në pjesën e dytë Arsenali luajti më kujdesshëm duke ruajtur epërsinë e krijuar nga pjesa e parë.

Ndërkohë në minutën e fundit të ndeshjes, Arsenali fitoi një penallti dhe mesfushori mysafir Sam Clucas u ndëshkua me karton të kuq.

Sulmuesi kilian, Alexis Sanchez u tregua i saktë nga pika e bardhë për t’i siguruar fitoren Arsenalit 2-0.

Kështu pas dy humbjeve radhazi në Ligën Premier, ‘Topçinjtë’ kthehen te fitoret.

Pas këtyre tri pikëve, Arsenal ngjitët në pozitën e tretë në tabelë me 50 pikë të tubuara, nëntë më pak se lideri Chelsea që ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar. /Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=qLrlXu0dJc8

https://www.youtube.com/watch?v=ZZSdPSu3kTs

Exit mobile version