Site icon Telegrafi

Një gjykatë në Australi urdhëron Google t’i paguajë një politikani 515,000 dollarë për videot e postuara në YouTube

Një gjykatë në Australi ka urdhëruar Google që t’i paguajë një ish-ligjvënësi rreth 715,000 dollarë australianë (rreth 480 mijë euro) si dëmshpërblim për shpifje për dy video të postuara në YouTube.

Gjykata Federale Australiane zbuloi të hënën se dy videot e shtynë John Barilaro, zëvendëskryeministrin e shtetit më të populluar të Australisë, New South Wales, të largohej para kohe nga politika, përcjell Telegrafi.

Gjykatësi Steven Rares tha se videot, të cilat u postuan nga komentatori politik, Jordan Shanks përbënin një “fushatë të pamëshirshme, raciste, sharëse, abuzive dhe shpifëse” kundër Barilaro.

Videot vinin në pikëpyetje integritetin e ish-ligjvënësit, duke përfshirë etiketimin e tij “të korruptuar” pa prova dhe e quajtën atë me emra racistë që ishin “asgjë më pak se gjuha e urrejtjes”, tha gjykatësi.

Ai zbuloi se Google e Alphabet Inc, e cila zotëron uebsajtin e ndarjes së përmbajtjes YouTube, fitoi mijëra dollarë nga dy videot, por nuk arriti të zbatonte politikat e veta për të parandaluar gjuhën e urrejtjes,….

Videot u panë gati 800,000 herë që kur u postuan në fund të 2020.

Kur Barilaro u largua nga politika në tetor 2021, ishte për shkak se ai “u traumatizua nga fushata e Google dhe z. Shanks dhe … kjo bëri që ai të largohej para kohe nga posti publik”, tha Rares.

“Kam gjetur se sjellja e Google në këtë proces është e pahijshme dhe e pajustifikueshme.”

Një zëdhënës i Google nuk ishte menjëherë i disponueshëm për koment. /Telegrafi/

Exit mobile version