Telegrafi

Një gjerman u dënua pasi i kishte dërguar inteligjencës ruse detaje dhe planimetri të ndërtesës së Bundestagut

Një burrë është dënuar me dy vjet burgim me kusht për përcjelljen e informacioneve mbi parlamentin gjerman në Rusi.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, i dyshuari gjerman 56-vjeçar, një ish-punonjës në një firmë sigurie kompjuterike, u dënua për spiunazh për një ent të huaj.

Prokurorët thanë se personi i kishte dërguar inteligjencës ushtarake ruse detaje dhe planimetri të ndërtesës së Bundestagut.

Ai dyshohet se kishte takuar një atashe ushtarak në ambasadën ruse në vitin 2017 dhe i kishte dorëzuar një CD që përmbante më shumë se 300 skedarë të projekteve të ndërtesave të përdorura nga Bundestagu.

Prokurorët thonë se punonjësi i ambasadës ruse ishte një oficer i agjencisë së inteligjencës ushtarake të vendit GRU.

I dyshuari 56-vjeçar – i identifikuar vetëm si Jens F. – ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat.

Atij iu ofrua mundësia për të pranuar krimin për një dënim me burg nga 20 muaj deri në 2 vjet.

Avokatët e tij mbrojtës thanë se nuk kishte prova që ai kishte “përcjellë dosjet” dhe argumentuan se rasti bazohej në punën e mëparshme të të dyshuarit në Gjermaninë Lindore.

Ndryshe, marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Rusisë janë tensionuar vitet e fundit, pas një sërë incidentesh diplomatike.

Rusia ka mohuar akuzat se qëndron pas një hakerimi në shkallë të gjerë kundër zyrës së Bundestagut dhe kancelares Angela Merkel në vitin 2015.

Në qershor, një shkencëtar rus që punonte në një universitet bavarez u arrestua gjithashtu me dyshimin se kishte spiunuar për Moskën. /Telegrafi/