Site icon Telegrafi

Një gazetar dhe një nëntëvjeçare u vranë në Florida afër një skene vrasjeje që ndodhi disa orë më parë, i dyshuari për tri viktimat thuhet se është i njëjti

Një reporter televiziv dhe një vajzë nëntëvjeçare janë qëlluar për vdekje pranë Orlando-s, Florida, afër skenës së një vrasjeje që ndodhi disa orë më parë.

Një gazetar tjetër dhe nëna e vajzës u qëlluan dhe u plagosën nga i njëjti person i armatosur, i cili dyshohet edhe për vrasjen tjetër, thotë policia, transmeton Telegrafi.

Dy gazetarët e Spectrum News 13 po mbulonin vrasjen e një gruaje në zonë atë mëngjes kur i dyshuari adoleshent u kthye, thotë policia.

Mbetet e paqartë nëse ata ishin në cak.

I dyshuari ishte i armatosur kur u arrestua dhe po i rezistonte policisë, thanë hetuesit.

Asnjë nga tre personat e vrarë në dy sulmet e së mërkurës në Pine Hills, një periferi në perëndim të Orlandos, nuk është identifikuar ende.

Në një konferencë shtypi, sherifi i Orange County, John Mina tha se gazetarët ishin “në ose pranë automjetit të tyre”, i cili tha ai nuk dukej si automjeti zyrtar i një stacioni televiziv, kur ata u sulmuan rreth orës 16:00 me kohën lokale.

Ai tha se gazetarët kishin raportuar për të shtëna që ndodhën më herët gjatë ditës rreth orës 11:00 me kohën lokale, ku u qëllua për vdekje një grua rreth të 20-ave brenda një makine, kur i dyshuari u kthye në vendin e krimit dhe hapi zjarr.

Pasi sulmoi gazetarët, i armatosuri i dyshuar – Keith Moses, 19 vjeç – hyri në një shtëpi aty pranë dhe qëlloi vajzën dhe nënën e saj, tha sherifi.

Gruaja e qëlluar, ishte në spital në gjendje kritike, shtoi ai.

Gazetarë të tjerë aty pranë ndihmuan në ofrimin e ndihmës së parë për viktimat, sipas reporterëve lokalë. /Telegrafi/

Exit mobile version