Site icon Telegrafi

Një fshat në Spanjë përfundoi votimin në vetëm 26 sekonda, ka shtatë banorë

Villaroya, një fshat në veri të Spanjës, ishte i pari që votoi sot në zgjedhjet parlamentare të vendit, kur të shtatë banorët e këtij fshati votuan në vetëm 26 sekonda.

Pas hapjes së qendrave të votimit në orën 9 të mëngjesit në Spanjë, banorët e atij fshati thyen rekordin e tyre me tre sekonda.

Përkatësisht, në zgjedhjet lokale dhe rajonale të majit, atyre iu deshën 29 sekonda për të përfunduar votimin, transmeton Telegrafi.

Spanja është plot me fshatra që janë braktisur nga të rinjtë dhe po zhduken dalëngadalë.

Villaroya është një vend në provincën e La Rioja që, për shkak të popullsisë së saj të vogël, tradicionalisht voton më shpejt në zgjedhje.

Nga shtatë banorët e saj, sipas ligjit, tre u ulën në tavolinë me kutinë e votimit dhe tre të tjerë kishin rolin e zëvendësuesve.

Vetëm një banor pa detyrim për të punuar në qendrën e votimit ka futur fletën e votimit.

Shtatë banorë duartrokitën pasi hodhën fletët e votimit në kuti dhe pasdite do të vijojë dreka.

Lexo po ashtu Zgjedhjet e përgjithshme në Spanjë mund të kthejnë të djathtën në pushtet për herë të parë që nga viti 1975

“Kjo është bërë traditë për ne”, tha kryetari i bashkisë, Salvador Perez, para gazetarëve të shumtë që erdhën për të regjistruar atë moment.

Perez ka qenë shef që nga viti 1973. Në maj, ai mori një mandat të ri në zgjedhjet lokale dhe në shtator do të bëhen 50 vjet që kur erdhi në pushtet në Villaroya.

Banorët, kryesisht fermerë, filluan të largoheshin nga Villaroya në fillim të shekullit të 20-të, duke emigruar në Amerikë.

Vala e dytë e emigrantëve pasoi në vitet e 60-ta, kur minierat e qymyrit ku punonin shumë prej 300 banorëve të atëhershëm u mbyllën.

Në Spanjë sot, 37 milionë votues u ftuan në zgjedhjet në të cilat, sipas sondazheve, Partia Popullore e opozitës së qendrës së djathtë mund të marrë pushtetin nga Partia Socialiste e kryeministrit Pedro Sanchez.

Sanchez thirri zgjedhjet parlamentare, të planifikuara për në dhjetor, pas rezultateve të dobëta të partisë së tij në zgjedhjet lokale dhe rajonale në maj. /Telegrafi/

 

Exit mobile version