Filmi “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” i regjisorit Gentian Koçi, bashkëprodhim mes Shqipërisë, Kosovës, Portugalisë dhe Greqisë, do të jetë kandidatura zyrtare e Shqipërisë në edicionin e 95-të të ‘Oscars’, njofton Qendra Kinematografike e Kosovës.
Ky film i cili do ta përfaqësoj Shqipërinë në Academy of Motion Picture Arts and Sciences (AMPAS), ka për producent Gentian Koçin, Blerina Hankollarin dhe bashkëproducent nga Kosova, Liridon Cahanin.
“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Radio-Televizionit Publik Shqiptar, Qendra Greke e Filmit, Televizioni Publik Grek, Qendra Kinematografike e Kosovës, Instituti Portugez i Kinemasë dhe Audiovizualit, Eurimages, Media-Creative Europe dhe Bashkia e Tiranës.
Ndërkaq, filmi i regjisores Norika Sefa “Në kërkim të Venerës” është përzgjedhur si kandidati që propozon Kosova në garën e Akademisë së Çmimeve të ‘Oscars’ për vitin 2023.
Komiteti selektues i aprovuar nga Akademia e Çmimeve të ‘Oscars’ ishte e përbërë nga kineastët nga Kosova: Ismet Sijarina, Blerta Basholli, Samir Karahoda, Visar Morina, Alban Uka, Valmira Hyseni, dhe Enis Saraçi.
Filmi përcjellë adoleshenten e qetë Venerën (luajtur nga Kosovare Krasniqi) që jeton në një qytet të vogël në Kosovë. Në shtëpi, ku tre breza jetojnë së bashku në një shtëpi të vogël, ajo nuk ka aspak privatësi. /Telegrafi/