Site icon Telegrafi

Një festë surprizë për fëmijën tuaj

NISET NGA DHOMA E TIJ

Për të krijuar hapësirën në të cilën fëmijët të lëvizin lirisht, çohen drejt murit të gjitha mobilet lëvizëse që pengojnë qarkullimin e lirë të fëmijëve. Hiqen të gjitha objektet që  mund të thyhen dhe janë delikate. Ju propozoj që në derën e dhomës të varni një kartelë ku të shkruhet:”Kjo është dhoma e lojës”. Është një veçori e rëndësishme:sepse i bën të vegjlit të ndjehen në një hapësirë të tyren.

ZGJEDHJA E LOJËRAVE

Përpara se të arrijnë miqtë e vegjël është mirë të mendohet se me çfarë do t’i argëtosh. Sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta kesh situatën nën kontroll. Nëse fëmijët lihen të lirë të bëjnë atë që dëshirojnë, patjetër që do krijohet një kaos i paparë. Në zgjedhjen e lojërave që do i propozoni të ftuarve është mirë të dëgjoni opinionin e djalit tuaj. Por nëse ai zgjedh playstation ose i pëlqen të bëjë Tarzanin, bëjeni të arsyetojë. Me pak hapësirë në dispozicion mund të funksionojë një lojë si “Ku është fshehur thesari” ose “Biz”; ku do të apasionohet si ai dhe fëmijët e tjerë. Pse jo mund ti propozoni fëmijëve të bëjnë një festë me kostume. Nuk do e harrojnë kurrë…!

DUHET NJË TEATËR

Për të evituar që të vegjlit të mërziten mund të sajohet një teatër. Mund të vini burrin tuaj të lexojë një përrallë ndërsa nëna i interpreton personazhet me kukulla. Meqë kalamajve u pëlqen shumë të imitojnë të rriturit mund të bëni disa bileta ose ftesa që atyre t’u duket vetja si të rritur. Përpara se të zënë vend në teatër shpërndajini bileta ku ato duhet të paguajnë me monedha të bëra enkas prej jush. U pëlqen shumë të bëjnë tamam sikur kanë shkuar në një shfaqje të vërtetë.

NJË KONCERT I BUKUR

Çfarë orkestre mund të formoni? Tenxheret, për shembull, së bashku me pirunat ose lugët prej druri mund të bëhen daulle shumë të mira. Por duhet të jeni një drejtues i mirë orkestre, dhe fëmijët të mos i bien rastësisht secili në qejf të vet.
Duhet të keni autoritetin e duhur, në mënyrë që fëmijët ti bien në mënyrë të organizuar tenxhereve dhe të formojnë një orkestër të pëlqyeshme. Këshillojini fëmijëve që para se ti bien të numërojnë deri në dy dhe në të tretën ti bie tjetri të numërojë deri në tre e më pas ti bjerë e kështu me radhë. Koncerti i zhurmave do ti entuziazmojë jashtëzakonisht shumë.

ËSHTË ORA E TË NGRËNIT

Është mirë që ti keni përgatitur disa panine të mira me sallam, djathë, ose çokollatë. Të zgjedhin mes këtyre shijeve i bën të ndjehen më të mëdhenj se ç’janë. Dhe mbi të gjitha janë gjërat më të pëlqyeshme të fëmijëve. Sigurisht që mund të shtoni ndonjë coca-cola ose fanta sipas mundësisë.

KËNAQËSI E PAKUFISHME

Kështu ka vepruar mikja ime, dhe djali i saj u kënaq shumë. Nuk është e rëndësishme që për fëmijët të shpenzosh shumë për t’u argëtuar. Dhe me ide të tilla që janë më shumë të mbushura me fantazi ato kënaqen dhe ndjehen të vlerësuar. Ndaj nëna të dashura organizoni herë pas here festa të tilla dhe fëmijët tuaj do të lumturohen. Në kohën e sotme nuk kemi më kohë për fëmijët, por duhet gjetur koha për ta bërë fëmijën të lumtur e për të gjetur motive të kënaqet vetë bashkë me miqtë e vet. /Telegrafi/

Exit mobile version