Site icon Telegrafi

Një engjëll si Kleofina

Bukuria e femrave shqiptare është e pakontestueshme, është e padiskutueshme. E gjithë bota ka pasur rastin ta vërtetojë këtë, ku vajzat tona ia kanë dalë që të rrëmbejnë vëmendjen në skenat e mëdha të modës, spektakleve të bukurisë dhe të industrisë së argëtimit në përgjithësi.

Por, një prej femrave që po i thyen të gjitha parashikimet dhe po bën krenar shqiptarët në Evropë është Kleofina Pnishi.

23 vjeçarja nga Gjakova, e cila ka punuar në shumë projekte si aktore dhe modele, tash është në një sfidë të niveleve të larta.

Ajo u zgjodh kohë më parë “miss Provence”, më e bukura e provincës juglindore të Francës me pesë milionë banorë, duke siguruar kështu plasmanin në Miss France 2018, një prej ngjarjeve më të mëdha në shtetin francez.

Nëse yjet si Dua, Rita dhe Era po bëjnë krenare shqiptarët në industrinë muzikore botërore, në botën e bukurisë është pa dyshim Kleofina, por rrugëtimi i saj natyrisht është i gjatë dhe me shumë peripeti. Në një rrëfim për Telegrafin, ajo tregon fillimet e karrierës, detajet e jetës private dhe synimet e mëdha e përgatitjen për ngjarjen e Miss France 2018.

Telegrafi: Ke lindur në Kosovë, por je rritur në Francë. Sa vështirë ishte për ty që të integrohesh në jetën sociale në Francë?
Kleofina: Kam ardhur në Francë në moshën 5 vjeçare, gjatë luftës në Kosovë. Integrimi është gjithmonë i vështirë në secilin vend të huaj. Gjuha e huaj, kulturë e re… por kam pasur fatin që kam shkuar në moshë të vogël dhe integrimi u bë në mënryë natyrale. Jam munduar të marrë pikat pozitive të të dyja kulturave.

Telegrafi: Kur është shfaqur për herë të parë talenti yt?
Kleofina: Jam ndër ata njerëzit hiperaktivë që gjithmonë kanë dashur të bëjnë shfaqje të ndryshme si fëmijë para familjarëve dhe shoqërisë. Që në moshë të vogël kam shikuar filma dhe kam imituar rolet e aktorëve të ndryshëm. Publiku im i parë ishte familja ime.

Telegrafi: Cilat ishin ëndrrat tuaja në fillimet e karrierës?
Kleofina: Ëndrra ime nuk ka ndryshuar në asnjë moment të jetës, gjithmonë kam pasur dëshirë të jem aktore. E kam shprehur këtë ëndërr në mënyra të ndryshime sipas moshës dhe mundësive që më janë dhënë gjatë rrugëtimit tim.

Telegrafi: Nëse dikush kërkon për Kleofinën, biografia flet vet se me çfarë femer kemi të bëjmë. Jeni përmendur si aktore, kur për herë të parë është shfaqur talenti për aktore dhe cilat kanë qenë projektet në aktrim?
Kleofina: Besoj se njeriu lind me një talent, por me punë shfaqet dhe bëhesh edhe më e aftë. Në gjimnaz, kam marrë pjesë në një komedi muzikale, dhe profesori më ka këshilluar që të mos ndalem asnjëherë. Kam luajtur në disa filma televiziv në Francë si “Les Mysteres du Lac” dhe kam disa projekte tjera për filma ndërkombëtar.

Telegrafi: Majen e karrierës e keni arritur në modelim. Konsideroheni si një nga modelet më të mira në Evropë. A mendon se ia del të arsyetosh një epitet të tillë?
Kleofina: Hmm… nuk e përshkruaj veten si modele. Më shumë si aktore. Por, është e vërtetë se me modelizëm kam filluar në botën profesionale. Modelizmi është një mënyrë tjetër të shprehësh emocione para kamerës dhe ishte eksperiencë që më ka ndihmuar edhe për aktrim.

Telegrafi: Na përmend disa fushata si modele dhe na trego ndonjë përvojë interesante prej tyre.
Kleofina: Kam pasur një fotosesion për revistën Elle në France. Fotosesioni u realizua në Londër. Ishte një ndër eksperiencat më të mira profesionale që kam pasur. Në aktrim kam eksperienca interesante, filmi i parë të cilin kam luajtur quhet “Les Meurtres aux Mont Ventoux”. Kam pasur fatin të luaj me një aktore franceze që e çmoj shumë Ingrid Chauvin. Xhirimet ishin në një ambient të hapur dhe ishte shumë ftohtë në dhjetor. Pavarësisht lodhjes dhe kohës së ftohtë, nuk kisha dëshirë që të mbarojnë ditët e xhirimeve. Aty e kuptova se nuk është vetëm një ëndërr, por që e dua me të vërtetë këtë punë, sepse edhe lodhja ishte pozitive. Mbaj mend veten teksa mendoja se po jetoj një ëndërr dhe se është vetëm fillimi i kësaj ëndrre.

Telegrafi: Së fundmi ke vizituar Kosovën. Jeni parë me veshje kombëtare dhe po ashtu keni vizituar shumë vende. Çfarë ndjeni për Kosovën dhe si ndiheni kur njerëzit flasin për ty e të komplimentojnë për karrierën, bukurinë e gjëra tjera?
Kleofina: Edhe pse nuk kam jetuar në Kosovë, nuk kam pasur shkëputje të vërtetë me vendlindjen asnjëherë, sepse e kam vizituar shumë shpesh. Ishte e rëndësishme për mua të mos e humb gjuhën dhe kulturën shqiptare, edhe pse jetoj larg. Ndihem krenare që jam shqiptare, dhe i vlerësoj shumë ata që më përkrahin dhe ndihen krenar për arritjet e bashkatdhetarëve jashtë vendit. E them shumë shpesh edhe në intervista në Francë se forca ime është origjina ime. Më jep motiv më të madh t’i arrij qëllimet e mia. Nuk besoj që ka ndjenjë më të mirë se as t’i bësh krenar njerëzit që besojnë në ty.

Telegrafi: Pasi vizitove Kosovën na ke dhënë të gjithëve një lajm të mirë. Je zgjedhur Miss Provence, që të mundësoi të jesh pjesë e Miss France 2018 e të përfaqësosh regjionin me 5 milionë qytetarë. Si ndihesh për një titull të tillë?
Kleofina: Ndihem shumë mirë dhe me fat që mundem të përfaqësoj regjionin ku jam rritur në Miss France. Këtë eksperiencë e shoh si një mundësi të arrij edhe qëllime tjera në aktrim. Sepse ka shumë shikueshmëri dhe të hap shumë dyer tjera në botën e artit.

Telegrafi: Të jesh miss ka qenë ëndërr apo ishte plan që ti e realizove në përpikmëri?
Kleofina: Të them të drejtën, asnjëherë se kam menduar të konkurroj për Miss apo të bëhem Miss. Por, më kanë kontaktuar të marr pjesë dhe nuk kam besuar që do të kem sukses në këtë rrugëtim. Më pëlqejnë eksperiencat e reja dhe këtë vit kisha nevojë për një sfidë të re. E ndoqa instinktin tim që më tha të marr pjesë dhe nuk më doli gabim, haha (qesh).

Telegrafi: Konsiderohesh favorite për të fituar Miss France 2018. A mendon për këtë si një ëndërr, apo realitet?
Kleofina: Po, ka komente shumë të mira nga publiku dhe mediet franceze dhe i vlerësoj shumë. Puna shpërblehet gjithmonë, për atë do të punoj shumë këto muaj. Dua të jap maksimumin tim më 16 dhjetor në Miss France që do të transmetohet “live” në kanalin TF1.

Telegrafi: Kush ka qenë çelësi i karrierës tënde?
Kleofina: Nuk do të kisha dhënë emër të caktuar sepse ka shumë. Por, besoj se janë të gjithë ata persona që kanë besuar në mua dhe ma kanë transmetuar atë besim për të vazhduar në drejtim të ëndrrave të mia.

Telegrafi: Je bërë 23 vjeçe së fundmi, ku e sheh veten pas 5 vitesh dhe cila është ëndrra jote deri në atë kohë?
Kleofina: Shpresoj të kem arritur në kinematografinë botërore, pse jo me një Oscar? Haha (qesh).

Telegrafi: Kush është Kleofina në jetën reale, çka studion ajo dhe cili do të ishte profesioni i saj nëse nuk do të ishte aktore dhe top modele?
Kleofina: Kleofina në jetën e përditshme është një vajzë shumë e thjeshtë, me shumë ëndrra. Jam e diplomuar në media dhe gazetari. Nëse nuk do të isha modele ose aktore, ndoshta sot do të isha një gazetare.

Telegrafi: Cili është mesazhi për përkrahësit tuaj?
Kleofina: I falënderoj të gjithë njerëzit që më përkrahin dhe më dërgojnë mesazhe pozitive. Jeni një pjesë e pandashme e suksesit tim dhe shpresoj që është vetëm fillimi. Mesazhi im për të gjithë ju është: Mos ndaloni kurrë se ndjekuri ëndrrat tuaja.

/Telegrafi/

Exit mobile version