Telegrafi

Një ekip izraelitësh thuhet se “manipuloi më shumë se 30 zgjedhje në mbarë botën – përmes hakerimeve, sabotimeve dhe dezinformatave të automatizuara”

Një ekip kontraktorësh izraelitë që pretendojnë se kanë manipuluar më shumë se në 30 zgjedhje në mbarë botën duke përdorur “hakerime”, sabotime dhe dezinformata të automatizuara në mediat sociale është ekspozuar në një hetim të ri.

Sipas The Guardian, njësia drejtohet nga Tal Hanan, një ish-operativ i forcave speciale izraelite (50-vjeçar), i cili tani punon privatisht duke përdorur pseudonimin “Jorge” dhe duket se “ka punuar” në zgjedhjet në vende të ndryshme për më shumë se dy dekada.

Ai po demaskohet nga një konsorcium ndërkombëtar gazetarësh, shkruan më tej mediumi prestigjioz The Guardian, përcjell Telegrafi.

Hanan dhe njësia e tij, e cila përdor emrin e koduar “Ekipi Jorge”, janë ekspozuar nga pamjet e fshehta dhe dokumentet e zbuluara në The Guardian.

Hanan nuk i është përgjigjur pyetjeve të hollësishme në lidhje me aktivitetet dhe metodat e ekipit Jorge, por tha: “Unë mohoj çdo keqbërje”.

Hetimi zbulon detaje të jashtëzakonshme rreth mënyrës sesi dezinformimi po “përdorët si armë” nga Team Jorge, i cili drejton një shërbim privat që ofron ndërhyrje të fshehtë në zgjedhje pa lënë gjurmë.

Grupi thuhet se gjithashtu punon për klientët e korporatave.

Hanan u tha gazetarëve të fshehtë se shërbimet e tij, të cilat të tjerët i përshkruajnë si “operacione të zeza”, ishin në dispozicion të agjencive të inteligjencës, fushatave politike dhe kompanive private që donin të manipulonin fshehurazi opinionin publik.

Ai tha se ato ishin përdorur në të gjithë Afrikën, Amerikën Jugore dhe Qendrore, SHBA dhe Evropë.

Një nga shërbimet kryesore të “Team Jorge” është një paketë e sofistikuar softuerësh, Advanced Impact Media Solutions.

Ai kontrollon një ushtri të madhe me mijëra profile të rreme të mediave sociale në Twitter, LinkedIn, Facebook, Telegram, Gmail, Instagram dhe YouTube. Disa madje kanë llogari në Amazon me karta krediti, “kuleta bitcoin” dhe llogari Airbnb.

Konsorciumi i gazetarëve që hetoi Skuadrën Jorge përfshin reporterë nga 30 media, duke përfshirë Le Monde, Der Spiegel dhe El País.

Projekti, pjesë e një hetimi më të gjerë në industrinë e dezinformimit, është koordinuar nga Forbidden Stories, një organizatë jofitimprurëse franceze, misioni i së cilës është të ndjekë punën e gazetarëve të vrarë, të kërcënuar ose të burgosur.

Dhe pamjet e fshehta u filmuan nga tre reporterë, të cilët iu afruan ekipit Jorge duke u paraqitur si klientë të mundshëm, shkruan më tej The Guardian.

Në më shumë se gjashtë orë takime të regjistruara në fshehtësi, Hanan dhe ekipi i tij folën sesi mund të mblidhnin informata mbi rivalët, duke përfshirë përdorimin e teknikave të hakerimit për të hyrë në llogaritë e Gmail dhe Telegram.

Ata mburreshin për “futjen” e materialit në media legjitime të lajmeve, të cilat më pas përforcohen nga softueri i menaxhimit të boteve Aims.

Pjesa më e madhe e strategjisë së tyre dukej se sillej rreth ndërprerjes ose sabotimit të fushatave rivale: ekipi madje pretendoi se kishte dërguar një lodër seksi të dorëzuar përmes Amazon në shtëpinë e një politikani, me qëllim që t’i jepte gruas së tij përshtypjen e rreme se ai kishte një lidhje.

Metodat dhe teknikat e përshkruara nga “Ekipi Jorge” ngrenë sfida të reja për platformat e mëdha të teknologjisë, të cilat për vite me radhë kanë luftuar për të parandaluar “akterët e këqij” që përhapin gënjeshtra ose shkelin rregullat e sigurisë në platformat e tyre.

Dëshmitë madje do të jenë kambana të alarmit për demokracitë në mbarë botën.

Zbulimet e Ekipit Jorge mund të shkaktojnë siklet për Izraelin, i cili është vënë nën presionin diplomatik në rritje vitet e fundit për eksportin e tij të armëve kibernetike që minon demokracinë dhe të drejtat e njeriut. /Telegrafi/