Telegrafi

Një e vdekur dhe një e lënduar rëndë në një aksident trafiku në Malishevë

Një aksident i rënd komunikacioni ka ndodhur në Malishevë, si pasojë një grua 83 vjeçare ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar rëndë.

Lajmin  për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja Lirije Podrimja.

“Në ora 16:40 policia në Malishevë ka marr informacion për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën lokale Banjë-Senik. Patrullat policore menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes ku dyshohet se aksidenti kishte ndodhur përderisa një automjet po qarkullonte në rrugën lokale në fshatin Senil në drejtim të fshatit Banjë me ç’rast në hyrje të fshatit Banjë i njëjti kishte humbur kontrollin mbi automjetin e tij dhe kështu me pjesën ballore të automjetit kishte goditur një automjet tjetër i cili po qarkullonte nga fshati Banjë në drejtim të fshatit Senik”, ka thënë Podrimja për Telegrafin.

Podrimja ka thënë se personat e përfshirë në aksident kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe pas marrjes së ndihmës së parë në QMF- Malishevë janë transferuar për në QKUK, në Prishtinë.

“Për shkak të lëndimeve të rënda personi i dyshuar së bashku me dy pasagjeret e tij janë hospitalizuar në repartin kirurgjik, ndërsa në ora 21:22 policia është njoftuar nga QKUK se viktima F.J, shqiptare e lindur në vitin 1935 kishte ndërruar jetë”, ka konfirmuar Podrimja.

Kjo është viktima e pestë në 24 orët e fundit si shkak i aksidenteve në trafik.

Sipas statistikave të Policisë gjatë këtij 10-mujori, në aksidente kanë vdekur 102 persona, vetëm një më pak se në periudhën e njëjtë të vitit 2017./Telegrafi