Telegrafi

Një i vdekur dhe 424 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informon se në 24 orët e fundit nga 6,360 testime të kryera, 424 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19, ndërkaq një person ka humbur jetën.

Sot janë shëruar 89 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 158,284.

Në total numri i rasteve aktive është 2,992.

Në 24 orët e fundit janë dhënë 3,189 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1,701,091 doza të vaksinës.

Deri më sot 792,605 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Deri më sot janë dhënë 22,871 doza përforcuese dhe 2,127 doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.

Në Kosovë ka filluar që të jepet edhe doza përforcuese dhe ajo e tretë, për personat mbi 18 vjeç, që janë imunizuar me dy dozat e para tre muajsh.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të respektojnë masat kundër pandemisë, pasi ka paralajmëruar se situata epidemiologjike mund të përkeqësohet.

Në Kosovë, në fund të vitit 2021 u identifikua prania e variantit Omicron, që vlerësohet se është më i transmetueshëm sesa variantet paraprake.

Studimet e para kanë sugjeruar se ky variant shkakton simptoma më të lehta, por Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar kundër cilësimit të Omicronit si variant “i lehtë”. /Telegrafi/