Telegrafi

Një e treta e të infektuarve me Covid-19 në Maqedoni nuk kanë pasur asnjë simptomë

Në Maqedoninë e Veriut për momentin ka 908 të infektuar me coronavirus, në 20 qytete, ndërsa më shumë në Shkup dhe Kumanovë.

Simptomat që tashmë dihen janë temperatura e lartë, kollitja, humbja e fuqisë, teshtitja, dhimba e fytit dhe të tjera, por ajo që është vërejtur në raportin e fundit të Institutit për Shëndet Publik është se tek 276 të sëmurë, që paraqet 30.4 përqind ose një e treta e numrit të përgjithshëm, nuk janë regjistruar asnjë simptomë para se të testohen, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Këto persona janë të infektuar asimptomatik, për të cilët ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, disa herë ka thënë se janë bartësit më të mëdhenj të virusit, pasi nuk e dinë se janë të sëmurë.

E njëjta ndodh edhe në nivel botëror. CNN më herët njoftoi se sipas të dhënave në Islandë, madje 50 përqind e të infektuarve kanë qenë pa simptoma, ndërsa në SHBA 25 përqind e të infektuarve nuk kanë simptoma.

Ndryshe, sipas të dhënave të djeshme (e martë), në vend u regjistruan 54 raste të reja, prej të cilëve 22 gra dhe 32 burra./Telegrafi/