Telegrafi

Një herë e puthi, pastaj e vrau kunatin – shkak për vrasjen në Turqi, një borxh i pakthyer (Video)

Gjithçka ndodh në një kafene shumë të populluar. Polici 55-vjeçar i dalë në pension fillimisht i shtrëngon dorën dhe e puth në të dy faqet kunatin, ndërsa pas zënkës e qëllon me armë duke e lënë të vdekur.

Agjencia turke e lajmeve “DHA” raporton se ngjarja e rëndë ka ndodhur në distriktin Seyhan të Adanas. Shkak për vrasjen mësohet se është bërë një borxh i pakthyer.

Ish-polici Talip Çelik raportohet se i ka kërkuar borxhin e dhënë kunatit Ismet Avci.

Pasi kishte marrë përgjigje negative, përcjell tvklan.al, Çelik shkon në kafenenë ku ndodhej Avci për të folur ballë për ballë.

Ai e gjen kunatin tek ha akullore, i jep dorën dhe e puth në dy faqet. Por më pas biseda e tyre e shkurtër u kthehet në zënkë.

Në këtë moment 55-vjeçari nxjerr pistoletën dhe qëllon kunatin. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ai largohet me qetësi në këmbë.

Klientët e tjerë në kafene ia mbathin nga sytë këmbët. E gjithë ngjarja është filmuar sekondë pas sekonde nga kamerat e sigurisë.

I plagosuri u dërgua me shpejtësi në spital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve. Ndërsa autori i krimit u arrestua nga policia pak kohë pas vrasjes.