Site icon Telegrafi

Një ditë që do ta ndryshojë Gjermaninë

Gjermania është në zi – në të gjitha godinat zyrtare flamujt janë vendosur në gjysmë shtizë.

Atentati i Berlinit e ka tronditur Gjermaninë. Dhe, e ka tmerruar. Dymbëdhjetë vetë gjetën vdekjen, gati 50 të tjerë janë plagosur, pjesërisht rëndë. Sulmi, terrori u drejtua ndaj të gjithë vendit, ndaj shoqërisë së lirë, në të cilën jetojnë gjermanët. E po ashtu ai u drejtua kundër një simboli veçanërisht paqësor: tregut të Krishtlindjeve, që e vizitojnë miliona njerëz në periudhën e Adventit – e madje jo vetëm gjermanët, por edhe njerëzit nga e gjithë bota, të cilët të çlirët kalojnë disa orë të dimrit duke shëtitur me gëzimin e pritjes së Krishtlindjeve duke dashur të harrojnë stresin e së përditshmes.

Ndaj, atentati, ky terror vrasës drejtohet kundër ne të gjithëve që duam të jetojmë të lirë dhe të shpenguar. Është një akt barbar kundër dëshirës sonë për liri. Ndaj terrori nga Berlini e ndryshon Gjermaninë. Ne nuk jemi më, ashtu siç quhej prej kohësh, në rrjetën e terrorit ndërkombëtar – ne jemi viktimë. Ashtu si anglezët, francezët, spanjollët, izraelitët, amerikanët e të tjerët.

E, në këtë mënyrë është fare e parëndësishme, nëse akti është kryer nga një person në amok i çoroditur psikikisht, nga një ujk i vetmuar me synime vrastare apo nga një grup i tërë me sfond fundamentalist: Ai prek në palcë shoqërinë e lirë. Ai prek shoqërinë e hapur. Ai prek me tregun e Krishtlindjeve edhe një simbol kristian, një shprehje të traditës dhe identitetit gjerman e evropian.

Kancelarja ka të drejtë: Kjo është një ditë e rëndë për gjermanët. Por, ndihet (ka pasur edhe në të kaluarën mjaft sulme të vogla apo të mesme terroriste në Gjermani – edhe shumë, që falë Zotit janë parandaluar) se ky atentat është një shenjë e kobshme! Mentaliteti i shoqërisë gjermane do të ndryshojë. Të qenit i çlirët, i shpenguar do pësojë tkurrje. Liria e jetës e shumë përfolur, që ne nuk duam të na e rrëmbejë terrori, kjo liri do të spostohet prej ndjesisë së thellë të pasigurisë. Gjermania do të ndihet më e pasigurt. E do të jetë më e pasigurt.

Kësaj i shtohet edhe një tërmet i mundshëm politik, që sjell me vete një atentat i tillë, kur dorasi ndodhet ende në arrati. Një njeri, që në këtë vend kishte gjetur mbrojtje. Një njeri, që kërkonte azil. Një njeri, të cilin ky vend nuk e ka dëbuar. Nëse dorasi është vërtetë një refugjat, të cilit vitin e kaluar Gjermania me zemërgjerësi dhe pa kontroll i hapi kufijtë – atëherë politika e kancelares ndaj refugjatëve do të hasë në stuhi të ashpra. Atëherë do të strapacohet ekstremisht mikpritja shoqërore ndaj njerëzve në vështirësi. Atëherë edhe në Gjermani marshimi triumfues i së djathtës, i mendimit nacional-egoist do të avancojë më shumë se sa vetëm me suksesin duke tërhequr vëmendje. Atëherë shoqëria e hapur do të mbyllet. Atëherë klima në politikën e brendëshme do të ngurtësohet. Atëherë liria do të jetë e kërcënuar nga brenda.

Natyrisht duhet që pikërisht në një ditë të tillë të ruash qetësinë dhe arsyen. Por është e vështirë e edhe më e vështirë, të jesh i qetë. Mbrëmja e 19 dhjetorit është një mbrëmje që do ta ndryshojë Gjermaninë. Se deri në ç’masë? Kjo mbetet të shihet.

Exit mobile version