Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një takimi në selinë e partisë, i ka uruar mirëseardhje në partinë e tij, ish-nënkryetarin e PDK-së në Klinë, Enver Berisha.
Kështu ka bërë të ditur vetë Haradinaj përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook.
“I dëshirova mirëseardhje në shtëpinë e vet, kolegut tonë shumëvjeçar Enver Berisha”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se AAK është e hapur për secilin që beson në orientimin e saj atdhetar.
“Aleanca është e hapur për secilin që beson në vizionin dhe orientimin e saj atdhetar. Kolegët nga komuna e Klinës, që janë shembull për qeverisjen lokale në vend, i falënderova për kontributin dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm”, ka përfunduar Haradinaj.
Kujtojmë se Berisha u shkarkua dje nga pozita e nënkryetarit të degës së PDK-së në Klinë.
Kryesia e PDK-së në Klinë përmes një njoftimi bëri të ditur se Berisha u shkarkua për shkak të dyshimeve se i njëjti është futur në pazare me partinë në qeverisje, AAK. /Telegrafi/