Këtë të diel, kalimi në pikën e koncesionarit në Rrugën e Kombit kryhet normalisht dhe pa pagesë, ndryshe nga një ditë më parë kur qarkullimi u paralizua për shkak të përplasjes së protestuesve me policinë.
Ndërtesa e pagesës së tarifës në Rrugën e Kombit i ngjason një godine të bombarduar.
Pranë sporteleve të shkrumbuara nga zjarri qëndron vetëm një patrullë e Policisë Rrugore, ndonëse për shkak të motit të rënduar me reshje të dendura shiu nuk ka ndonjë fluks të shtuar të lëvizjes së automjeteve në rrugë.
Gjithashtu, deri mesditën e së dielës nuk kishte nisur asnjë punë për të riparuar dëmet.
Gjithçka ishte lënë ashtu siç mbeti pasi protestuesit e pushtuan.
Një ditë më parë, në këtë vend ndodhi një përleshje e ashpër e protestuesve me policinë. Pas tërheqjes së uniformave blu, protestuesit shkatërruan impiantin dhe i vunë edhe zjarrin.
Mëngjesin e kësaj të diele nuk ka më protestues dhe forca polici, por as punonjës të kompanisë koncesionare.
Kalimi pa pagesë i automjeteve kryhet në vetëm dy sportele, pasi në dy të tjerat qarkullimi pengohet nga mbetjet në rrugë.
Xhama, copa metali dhe kioskat e shkatërruara janë ende në rrugë dhe pengojnë mjetet.
Qytetarët e Kukësit, që protestuan ditën e shtunë, gjatë negociatave me policinë paralajmëruan se, nëse trarët e pagesës do të ngrihen sërish, ata do të kthehen për t’i shkatërruar.