Site icon Telegrafi

Një ditë pas helmimit, nxënësit e shkollës ‘Janaq Kilica’ e fillojnë mësimin të shoqëruar nga prindërit dhe policia

Pas helmimit të ditës së djeshme, mësimi në shkollën “Janaq Kilica” në Fier ka nisur normalisht ditën e sotme, ndërkohë që vihet re edhe prania e policisë.

Në gjimnaz nxënësit janë shoqëruar edhe nga prindërit e tyre që i presin në ambientet e jashtme të shkollës.

Mesditën e djeshme, dhjetëra nxënës të gjimnazit “Janaq Kilica” në Fier u shtruan në spital, pasi shfaqën probleme me frymëmarrjen, shenja helmimi dhe të vjella.

Pamjet që mbërritën nga Fieri treguan kaosin dhe situatën e panikut të krijuar në shkollën e mesme, pasi për herë të dytë brenda 10 ditësh brenda ambienteve të saj u përhap lënda helmuese.

Lajmi krijoi panik edhe në ambientet e spitalit ku menjëherë u mblodhën qindra nxënës e prindër.

Lexo po ashtu Helmimi në shkollë, 42 nxënës po marrin trajtim në Spitalin Rajonal të Fierit

Policia raportoi se dyshohet se është përdorur spreh biberi nga një nxënës i kësaj shkolle, ndërkohë Ministrja e Shëndetësisë deklaron se ka nisur grupet e inspektimit në terren për verifikim dhe do kryhen analizat për ndotjen e ajrit në bazë të mostrave.

“Kanë qenë gjatë orës së pushimit kur është hedhur dhe lënda që sipas policisë është spreh piperi”, njofton Ora News.

Spitali Rajonal deklaroi se janë 58 nxënës dhe dy mësues qe ishin paraqitur ne spital me shenja intoksikacioni për të marrë trajtim në këtë spital dhe gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar.

Mjeku toksikolog i spitalit u shpreh se pacientët patën acarim të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes e lotimit të syve.

Exit mobile version