Site icon Telegrafi

Një ditë në nëntokë! “Radar” viziton minierën e Trepçës

Na flemë në dukat… Na punojmë këtu çdo ditë… Jeta jonë është në rrezik!

Këto janë fjalët e para që i dëgjon posa ta takosh një minator  një ditë të zakonshme të punës së tij.

Nëse emisioni “Radar” njihet si një emision që  çdo ditë mbledhë shumë dëgjues, kjo është falë faktit që “Radar” ju qëndron afër dëgjueseve jo vetëm në momente të mira por edhe në të  vështira. Këtë herë “Radar” vendosi që dëgjueseve t’ ua sjellë jetën e minatorëve të Trepçës duke kaluar një ditë të tërë pune me ta.

Aty ku vazhdon te pike djersa e atyre njerëzve që historikisht luajtën rol të rëndësishëm për fatin e Kosovës.

Kjo është Trepça , 753 metër nën tokë!

Ekipi e emisionit Radar me Edita Doli në Radio Dukagjini  ka filluar një  mision të ri, vizitën në minierën e Trepçës, ku kësaj here kemi me pa punën e secilit individ që e realizon në minierën e Trepçës.

Ashtu si çdo minator që rrugën për në minierë e bënë me autobus, e kësaj here ne e realizuam bashkë ku u takuam edhe me një pensionist Ilmi Haliti, 73 vjeçar i cili ka punuar në shërbimin teknik .

“Punën e kam filluar në vitin 1973. Kam punuar rregullisht deri në vitin 1999…Më herët ka pasur edhe vdekje në minierë pasi është rrëzuar tavani. Ka qenë rrezik dikur të punosh në minierë”, tregon Ilmi Haliti, përcjell Telegrafi.

Ne arritëm tek Miniera e Trepçës, pas kontrollit vazhduam rrugën për në mensë, ku ata ushqehen dhe marrin ushqim rezervë për të kaluar 8 orë në horizontet përkatëse.

“Jam Bajram Bala, kuzhinier në minierë prej dhjetë vitesh…Dreka e preferuar e punëtorëve është pasuli”, tregon kuzhinieri Bajram Bala.

Më pas vazhduam për në dhomën ku veshëm rrobat e minatorëve.

Profesori i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, Ragip Zeqiri gjithë hulumtimet e tij i ka kushtuar minierës prandaj, ai  na orientoi në çdo cep e deri tek horizonti i 10 dhe 11 i minierës.

Destinacioni  i parë ishte horizonti i 10 brenda minierës, ku fillimisht duhej të përdornim liftin.

Rrugës në tunel, ne takuam edhe dy minatorë, të cilët na treguan për punën e tyre.

Ecjen tonë  për në horizontin e 11 e bëmë duke u përballur me kushte të vështira të punës, ndërsa minatorët kishin edhe lodhje fizike.

Shekfi Rama përpos  që duhet të përballojë nxehtësinë që  arrin deri në 53 gradë, ai është i vetëdijshëm që vdekjen mund ta pësojë  në çdo moment.

“Prej tetë vitesh e punojë këtë punë. Marr detyrat që na jep menaxheri. Në fillim shikoj ku është rreziku pastaj vazhdoj me shpime e minime sipas mundësive. Jemi mësuar me vështirësitë”, tregon minatori Shekfi Rama.

Pas gjithë kësaj dite në minierë ne vendosëm  që të largoheshim me shpresë se për  648 minatorët e Trepçës të paktën kushtet primare për punë të plotësoheshin.

Ndërsa gurët e çmuar dhe unik  që nxirren nga kjo minierë janë të vendosur në muzeun e Trepçës./Telegrafi/

Exit mobile version