Site icon Telegrafi

Një demon, një prift dhe një komplot shekullor: Russell Crowe në filmin horror “The Pope’s Exorcist”

(Foto: Screenshot/YouTube/Sony Pictures Entertainment)

Në muajin prill nëpër kinematë do të nisë shfaqja e trillerit horror me temë fetare, “The Pope’s Exorcist”, frymëzuar nga kujtimet e priftit Gabriele Amorth, ish-krye-ekzorcisti i Vatikanit, i cili thuhet se ka kryer mbi 100 mijë ekzorcizma deri në vitin 2016, kur edhe vdiq në moshën 91 vjeçare.

Russell Crowe, i preferuari i audiencës nga filmi epik “Gladiator” dhe gjithashtu i njohur për rolet e tij në klasikët fitues të Oscarit, “A Beautiful Mind” dhe “L.A. Confidential” dhe filmat e popullarizuar, “Man of Steel” dhe “Thor”, mishëron priftin e popullarizuar dhe kontrovers në filmin e tij të parë në zhanrin horror.

Paraqitja e parë e shkurtër shfaq një demon të tmerrshëm, një sekret të Vatikanit të varrosur thellë dhe një rrezik që arrin deri te Papa.

Lexo po ashtu Ndryshimi i madh në dukjen e Russell Crowe

Krye-ekzorcistin e Vatikanit e thërrasin ta hetojë një djalë të obsesionuar. Duke ditur se 98 për qind e rasteve kërkojnë vetëm ndihmë cilësore psikologjike, ai do të habitet kur të zbulojë se djali është me të vërtetë i pushtuar nga një demon, por gjithashtu se demoni ndan një mister të fshehur prej kohësh me Vatikanin dhe se qëllimet e tij janë shumë më të këqija nga sa priste Amorth.

Ky triller supernatyral është bërë me regji të Julius Avery (i njohur për filmat “Operation Overlord”, “Samaritan”), ndërsa skenari është shkruar nga Michael Petroni dhe Evan Spiliotopoulos (“Hercules”, “The Huntsman and the Ice Queen”, “Wicked”).

Rolin e Papës e luan aktori legjendar italian, Franco Nero (“Django”, “Die Hard 2”, “John Wick 2”), kurse në një bashkëpunim të pazakontë me Russell Crowe, shfaqet aktori i njohur i roleve negative, Ralph Ineson (“Harry Potter”, “Chernobyl”, “Game of Thrones”, “The Witch”), i cili i jep zërin e tij të vrullshëm dhe të thellë një demoni rrëqethës në trupin e një djali.

Filmi është frymëzuar nga kujtimet e priftit Gabriele Amorth, “The Exorcist Speaks” dhe “New Reports of an Exorcist”, të cilat shpejt u bënë bestsellerë ndërkombëtarë.

(Foto: Screenshot/YouTube/Sony Pictures Entertainment)

Amorth lindi në Modena në vitin 1925, u shugurua në vitin 1954 dhe në moshën 61 vjeçare u bë ekzorcist i Dioqezës së Romës. Në vitin 1990, ai themeloi Shoqatën Ndërkombëtare të Ekzorcistëve dhe e drejtoi atë deri në vitin 2000.

Lexo po ashtu Crowe u paraqit në Romë me dashurën 27 vjet më të re

Më vonë, ai iu përkushtua kujtimeve të lartpërmendura, të cilat shërbyen si frymëzim për filmin “The Pope’s Exorcist”. /Telegrafi/

Exit mobile version