Site icon Telegrafi

Një delegacion i Kongresit amerikan viziton Kosovën

Një delegacion i Kongresit amerikan, që udhëhiqet nga senatorja republikane, Joni Ernst po viziton Prishtinën, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga Ambasada amerikane në Prishtinë.

“Gjatë qëndrimit në Kosovë, senatorja Ernst do të takohet me liderët qeveritarë, sipërmarrësit vendas dhe partnerët e tjerë kosovarë për të diskutuar lidhur me bashkëpunimin në kuadër të Programit për Partneritet Shtetëror të Ajovës me Kosovën – që është standard i artë për programet e partneritetit shtetërorë në mbarë botën”, tha një zëdhënës i Ambasadës amerikane.

Ky program ka për bazë bashkëpunimin ndërmjet Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“SHBA-ja mbetet e përkushtuar në mbështetjen e FSK-së, në transformimin e tyre transparent 10-vjeçar drejt një force multietnike të mbrojtjes territoriale. Aktivitetet e përbashkëta ndërmjet Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Kosovës jo vetëm që rrisin kapacitetet e FSK-së, por ndërtojnë raporte të rëndësishme, prezantojnë lidership dhe rrisin besimin mes dy vende tona”, thotë Ambasada amerikane.

Senatorja nga shteti i Ajovës, Ernst ka shërbyer për mbi 23 vjet në Ushtrinë amerikane dhe po ashtu është gruaja e parë, veterane e ushtrisë, që u zgjodh në Senatin amerikan.

Në maj të vitit 2021, trupat e FSK-së, së bashku me anëtarët e Gardës Kombëtare të Ajovës, u nisën në mision në Kuvajt. Ky është misioni i parë jashtë vendit i FSK-së.

Sipas ambasadës amerikane, kjo prezanton vullnetin e Kosovës për të ndarë përgjegjësitë “përtej kufijve, duke iu bashkuar SHBA-së dhe partnerëve të tjerë për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin botëror”.

Më 2018, pas ndryshimeve ligjore të miratuara në Kuvendin e Kosovës, ka nisur transformimi i mandatit të FSK-së në forca të armatosura. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Ndryshe, përveç bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimi në biznes dhe shkëmbimet në fushën e arsimit, janë pjesë kyçe e Programit të Partneritetit midis Ajovës dhe Kosovës. Në kuadër të këtij programi, në maj, Oda Ekonomike Amerikane nënshkroi një marrëveshje me Universitetin Drake në Ajova, për të shkëmbyer studentë nga kompanitë me bazë në Kosovë.

Përveç kësaj, 26 të diplomuar programi “Gratë në Energji” nga Fondacioni i Sfidave të Mijëvjeçarit, së fundmi janë kthyer në Kosovë pasi kanë përfunduar studimet dyvjeçare në fushat e lidhura me energjinë në Del Moines Area Community College./REL/

Exit mobile version