Telegrafi

Një delegacion i FMN-së viziton Kosovën

Qëllimi i vizitës së delegacionit të FMN-së, ishte që të njoftojë Qeverinë e Republikës së Kosovës, në veçanti MEF-in , për procedurat e anëtarësimit të Kosovës në FMN.

Bazuar në një njoftim zyrtar të MEF-it, delegacioni i kryesuar nga Robert Hagemann gjatë kësja vizite kanë kërkuar nga zyrtarët e lartë të MEF-it njohuri mbi legjislacionin e Kosovës në fuqi, statistikat ekonomike dhe financiare. Po ashtu është kërkuar që Kosova sa më parë të fillojë me përgatitjen e legjislacionit për anëtarësim në FMN.

“Jam shumë i kënaqur me të arriturat e Kosovës në lidhje me përgatitjet dhe punën që po bën për anëtarësimin e saj në FMN “, është shprehur Hagemann në përfundim të kësaj vizite.

Gjatë kësaj vizite Ministri i MEF-it, Ahmet Shala ka njoftuar përfaqësuesit e FMN-së në lidhje me rezultatet e arritura të Kosovës, sidomos në fushën financiare, njëherësh ka falenderuar FMN-në për ndihmën që po i ofron Kosovës, për anëtarësimin e saj në këtë institucion.

Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, delegacioni i FMN-së është takuar edhe me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, zyrtarët e lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe zyrtarët e lartë të Ministrisë së Drejtësisë. /Telegrafi/