Dasmat shqiptare shumë shpesh janë bërë pjesë edhe e medieve të huaja, të cilat kanë vënë në theks shpenzimet marramendëse të nikoqirëve, numrit të madh të mysafirëve, muzikës së lartë dhe pa shije dhe të shumë elementeve që tashmë e shumë vite janë duke i shoqëruar këto gazmende familjare, që janë shndërruar në një rrëmujë të vërtetë.
Artistja shqiptare Flaka Goranci ka kurorëzuar lidhjen disavjeçare me Hazir Hasanin, në një ceremoni glamuroze dhe mjaft të veçantë.
Mirëpo, artistja shqiptare ka zgjedhur një mënyrë tjetër për dasmën e saj, e cila ka zgjedhur një ndër pallatet më të vjetra të Vjenës.
KultPlus mëson se kjo dasmë është organizuar në Palais Schonborn Batthyany të Vjenës, pallat që është i stilit barok dhe është ndërtuar në vitin 1699 mu në qendër të Vjenës.
Në këtë dasmë që nga të sapomartuarit është vallëzuar Valsi Vjenez dhe Napoloni, ka pas edhe elemente që kanë ardhur si një gërshetim i dasmës vjeneze dhe asaj shqiptare.
Në këtë dasmë, ishin të pranishëm artistë shqiptarë dhe austriak, por edhe të nacionaliteteve, sikurse që ishte i pranishëm si mysafir nderi, ambasadori i Shqipërisë në Austri, Roland Bimo.