Një burrë ka jetuar në një pjesë të sigurt të aeroportit ndërkombëtar të Çikagos për tre muaj.
Dhe sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, “arsyetimi i tij” për këtë gjë ka qenë se “kishte shumë frikë nga coronavirusi” për t’u kthyer në shtëpi në Los Anxhelos.
Kaliforniani Aditya Singh, u arrestua këtë fundjavë dhe u akuzua për shkelje kriminale në një zonë të kufizuar të një aeroporti.
Prokurorët thanë të dielën se, sipas policisë, burri arriti në një fluturim nga Los Anxhelos për në aeroportin ndërkombëtar O’Hare më 19 tetor.
Gati tre muaj më vonë, të shtunën pasdite, Singh iu afruan dy punonjës të United Airlines që kërkuan të shihnin kartën e tij të identifikimit.
Singh dyshohet se u tregoi atyre një distinktiv të aeroportit që ishte raportuar i zhdukur nga pronari i tij, një menaxher i operacioneve të aeroportit, më 26 tetor.
Ndihmës avokati i shtetit Kathleen Hagerty i tha gjyqtares së Qarkut Cook, Susana Ortiz, se pasagjerët e tjerë kishin qenë duke i dhënë ushqim Singh, i cili nuk ka një histori kriminale.
Hagerty tha se Singh kishte gjetur distinktivin në aeroport dhe ishte “i frikësuar për të shkuar në shtëpi për shkak të Covid-19”.
Pasi gjetën Singh, punonjësit e United Airlines telefonuan policinë e cila e mori atë në paraburgim të shtunën në mëngjes.
Singh ka një diplomë master, është i papunë dhe jeton me shokë në një banesë në Orange, Los Angeles. /Telegrafi/