Site icon Telegrafi

Një burrë në Moskë thuhet se hodhi gruan dhe një foshnjë nga dritarja e një apartamenti në katin e 16-të – në internet qarkullojnë pamje të tragjedisë

Një burrë, i quajtur Alexander Lipatov (39) raportohet se ka hedhur gruan e tij dhe një foshnjë nga dritarja e një apartamenti në katin e 16-të të një kompleksi banimi luksoz në Moskë, duke i vrarë ata në vend.

Siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ekipi i emergjencës që ka mbërritur me shpejtësi në vendngjarje ka mundur vetëm të konfirmojë vdekjen e nënës dhe fëmijës.

Ndërkohë në internet janë shfaqur pamje të tragjedisë.

Siç thuhet më tej, pasi ka kryer një veprim të tillë, Alexander është barrikaduar në banesë.

Disa media raportojnë se ai herë pas here vështronte nga dritarja dhe se ishte lakuriq. Ai ka hedhur edhe gjëra të ndryshme nga banesa në rrugë.

Ndër tjerash mediat raportojnë se ai dhe gruaja e tij ishin të martuar për rreth tre vjet, dhe se ai deri vonë ka punuar në Bankën Qendrore të Rusisë.

Fqinjët citohen të kenë thënë se ata jetonin të qetë dhe se Milenan e shihnin shpesh me djalin e saj.

Por disa prej tyre kanë shtuar se ata kanë pasur një debat të ashpër mëngjesin e ditës së tragjedisë, dhe se vogëlushi po qante.

Ndërkohë raportohet se në banesë janë gjetur ilaçe kundër depresionit dhe “mesazhe me përmbajtje të çuditshme”.

Departamenti kryesor i hetimit i Komitetit Hetues në Moskë ka hapur një çështje penale. /Telegrafi/

Exit mobile version