Një qytet i vogël në Francë është habitur nga një “dhuratë e papritur” pasi një burrë që nuk e ka vizituar asnjëherë zonën i ka lënë komunës, pasurinë e tij prej 10 milionë eurosh në testament.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për Roger Thiberville, një meteorolog që jetonte në Paris, i cili vdiq gushtin e kaluar në moshën 91-vjeçare pa pasardhës.
Në testamentin e tij, ai la trashëgiminë e tij për qytetin e Thiberville të Normandisë – me të cilin ndante mbiemrin e tij – dhe 1800 banorëve të tij.
Guy Paris, kryebashkiaku i qytetit prej 28 vitesh, mori një telefonatë nga një avokat që dha lajmin.
Të ardhurat e papritura përfaqësojnë pesëfishin e buxhetit vjetor të bashkisë dhe, për shkak se qyteti është një organ publik, nuk do të duhet të paguajë asnjë taksë trashëgimie.
“Është një shumë e jashtëzakonshme parash. Është e qartë se shuma është përtej imagjinatës”, i tha Paris radio stacionit lokal France Bleu. “Ne ende nuk e dimë se çfarë do të bëjmë me ato para”.
“Ne nuk do t’i shpenzojmë të gjitha. Ne do ta menaxhojmë këtë ‘dhuratë’ siç kemi bërë gjithmonë me buxhetin tonë komunal – me maturi dhe përgjegjësi”.
Thiberville thuhet se lindi në 1932 në një familje vreshtarësh në Mantes-la-Jolie, që ndodhet 50 kilometra në perëndim të Parisit.
Pasurinë ai e trashëgoi nga prindërit e tij, të cilët fillimisht ia kishin lënë paratë motrës së tij, por pasi ajo vdiq pa trashëgimtarë, ato iu dorëzuan atij.
I ndjeri Thiberville bëri vetëm një kërkesë – që hiri i tij, së bashku me një pllakë me emrin e tij, të vendosej në varrezat lokale të qytetit.
Qyteti i Thiberville është një qytet tipik norman i cili krenohet me një vilë të shekullit të 19-të, por është larg nga një destinacion turistik ose një vend që bën titujt kombëtarë.
Kryetari i saj tha se po hartoheshin plane për të siguruar që paratë të shpenzoheshin në mënyrën më të mirë të mundshme. /Telegrafi/