Telegrafi

Një burrë grabitet duke shkuar te makina e tij, pak sekonda pasi bleu 300 iPhone në një dyqan Apple në Nju Jork

Një burrë që shpenzoi një shumë të madhe parash në iPhone, u grabit brenda pak sekondash pasi doli nga një dyqan Apple në Nju Jork.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ai doli nga dyqani në Fifth Avenue duke mbajtur tri çanta të mbushura me 300 iPhone 13 rreth orës 1:45 të mëngjesit të së hënës.

Por para se të arrinte te makina e tij, një tjetër u ndal pranë tij dhe dy burra dolën nga makina duke kërkuar që ai t’ua dorëzonte pajisjet.

Kur 27-vjeçari i paidentifikuar refuzoi, grabitësit e goditën me grusht në fytyrë dhe u larguan me njërën nga çantat.

Kështu, supozohet se ata u larguan me 125 iPhone – me vlerë 95,000 dollarë.

Burri ishte i njohur në dyqan për blerjen në sasi të pajisjeve dhe shitjen e tyre përmes biznesit të tij të vogël.

Policia është në kërkim të grabitësve dhe ka kërkuar që kushdo që ka informacion të ofrojë një të tillë. /Telegrafi/