Site icon Telegrafi

Një botë më e mirë për ne

Bjorn Lomborg

Është shumë e thjeshtë të formohet pikëpamja se bota moderne po shkatërrohet. Vazhdimisht përballemi me një duhmë negativiteti: tituj frikësues, zbulime alarmuese kërkimesh dhe statistika të mjerueshme.

Në fakt shumë gjëra në planet për të cilat duhet të shqetësohemi shumë. Por fiksimi te historitë e tmerrit nënkupton se nuk po shohim panoramën e gjerë.

Kombet e Bashkuara përqendrohen në tre kategori të zhvillimit: social, ekonomik dhe mjedisor. Në secilën kategori, duke parë përgjatë çerek shekullit të shkuar, kemi më shumë arsye për t’u gëzuar sesa për t’u frikësuar. Në fakt, kjo periudhë ka pasur progres të jashtëzakonshëm.

Në aspektin social, indikatori më i rëndësishëm është se sa gjatë jeton secili prej nesh. Në vitin 1990, jetëgjatësia mesatare ishte 65 vjeç. Në vitin 2016, u ngrit në 72.5. Në vetëm 26 vjet, ne kemi fituar 7.5 vite jete.

Një pesimist mund të sugjerojë se kjo do të thotë se kemi 7.5 vite të tjera të jemi të sëmurë dhe në mjerim, por ky nuk është rasti. Në vitin 1990, harxhuam rreth 13% të jetës sonë të sëmurë dhe kjo përqindje nuk është rritur. Dhe ndërsa ka shumë biseda për pabarazinë që është më keq se kurrë, në shumicën e këtyre matjeve jetësore, pabarazia po ulet: hendeku mes jetëgjatësisë te të varfrit dhe vendet e pasura është ngushtuar ndjeshëm.

Në aspektin e zhvillimit ekonomik, një nga indikatorët më të rëndësishëm është pjesa e njerëzve në varfëri. Më pak njerëz jetojnë tani në varfëri. Në vitin 1990, 37% e të gjithë njerëzve po jetonin në varfëri ekstreme; sot numri është më pak se një në dhjetë. Në vetëm 28 vite, mbi 1.25 miliard njerëz kanë dalë nga varfëria – një mrekulli që merr pak vëmendje.

Duke parë mjedisin, një nga vrasësit më të mëdhenj brenda shtëpisë është ajri i ndotur i shkaktuar nga të varfrit që përdorin pleh dhe dru për t’u ngrohur dhe gatim. Në vitin 1990, kjo shkaktoi më shumë se 8% të vdekjeve; tani është 4.7%. Kjo do të thotë rreth 1.2 milionë njerëz më pak që vdesin nga ndotja e ajrit brenda shtëpisë çdo vit, pavarësisht rritjes së popullatës.

Ekziston një trend i ngjashëm në shumë statistika të tjera të zhvillimit të mjedisit. Mes viteve 1990 dhe 2015, përqindja e shteteve që praktikonin jashtëqitje jashtë u përgjysmua në 15%. Aksesi në burime më të mira uji u rrit me 2.6 miliardë njerëz në të njëjtën periudhë, në 91%. Më shumë se një e treta e gjithë popullsisë në botë pati akses më të mirë të ujit.

Përmirësimet nuk ndalen këtu: bota është më e shkolluar; puna e fëmijëve ka rënë; ne jetojmë në një nga kohët më paqësore në histori; dhe shumica e qeverive botërore janë regjime demokratike.

Max Roser i Universitetit të Oksfordit ka ndërtuar një faqe interneti gjithëpërfshirëse për të eksploruar të dhëna si këto. Ai sugjeron se mund t’i mendojmë ndryshimet e këtij çerek shekulli në kuadër të atyre që ndodhin gjatë 24 orëve të fundit: parë kështu, vetëm ditën e djeshme jetëgjatësia mesatare u rrit me 9.5 orë; 137.000 njerëz shpëtuan nga varfëria e skajshme; dhe 305,000 patën ujë të pijshëm më të sigurt. Media mund të kishte treguar secilën nga këto histori çdo ditë që nga viti 1990.

Por lajm i mirë nuk përbën aq lajm sa ai i keqi. Ky nuk është vetëm faji i medias. Është më sfiduese të tregosh një histori pozitive. Në shumë raste, “lajmi” nuk është se diçka ka ndodhur, por se një gjë e keqe nuk po ndodh më. Kjo nuk e kap imagjinatën tonë në të njëjtën mënyrë. Një studim intrigues i vitit 2014 zbuloi se edhe kur pjesëmarrësit deklaruan se dëshironin të lexonin histori pozitive, sjellja e tyre kishte një preferencë për histori negative (një preferencë që ata as nuk e kuptonin).

Ne duhet ta sfidojmë veten t’i kushtojmë më shumë vëmendje fakteve pozitive. Kur njerëzit pyeten nëse kushtet e jetesës në botë do të jenë më të mira në 15 vjet, 35% besojnë se do të jenë, dhe 29% mendojnë se do të përkeqësohen. Por mes njerëzve që kuptojnë se shumë gjëra në planetin tashmë janë më të mirë se më parë, 62% besojnë në përparimin. Kjo pjesë zbret në vetëm 17% te ata që nuk i njohin faktet. Besimi se gjithçka po përkeqësohet e shformon panoramën e asaj që mund të bëjmë dhe kjo na fut frikën.

Mendoni sikur politikanët dhe mediat të fiksohen pas frikës nga krimi, edhe kur statistikat tregojnë se nivelet e krimeve kombëtare janë të ulëta ose po bien. Vëmendja dhe burimet e pakta mund të përfundojnë duke u përkushtuar në zgjidhjen e sfidës së gabuar, dhe ne do të kishim më shumë policë në rrugë ose do të pakësonim liritë qytetare, në vend të politikave më të mira për rritjen e mirëqenies si përmirësimi i parashkolloreve ose kujdesit shëndetësor.

Ndërsa keqkuptimi i fakteve mund të çojë në politika të këqija bazuar te frika, një njohje më e balancuar dhe më e mirë e fakteve dhe asaj që njerëzimi ka arritur na jep mundësinë të përqendrojmë përpjekjet tona në zona ku mund të arrijmë më të mirën. Kjo do të ofrojë mundësinë që e ardhmja të jetë më e mirë. /Project Syndicate/BIRN/

Exit mobile version