Në varrimin e mësuesit Halit Geci, në Llaushë të Skenderajt, më 1997, për herë të parë doli publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kjo gjë shënoi edhe fillimin e luftës për çlirim nga Serbia. Por, 19 vjet pas kësaj ngjarjeje, kjo nuk po i pengon një serbi që po kërkon të investojë në vendlindjen e tij.
Këtë po dëshiron ta bëjë, biznesmeni serb që jeton dhe vepron në Francë, Borislav Noviq, i lindur në këtë pjesë të Kosovës, por që më 1971 u zhvendos në Kragujevc të Serbisë.
Këtë e konfirmon edhe pronari i tokës që e ka ofruar për këto investime të serbit, Xhavit Spahija, i cili po thotë se me këto projekte do të punësohen qindra njerëz.
Spahija gjithashtu tregon Noviqi tani ka aplikuar edhe për nënshtetësinë e Kosovës.
Sipas nënkryetarit të Skenderajt, Fadil Nura, i cili më datën 21 korrik e kishte pritur në takim afaristin serb, këto investime do të sjellin jo vetëm përfitime ekonomike, por edhe politike.
Ndërsa, kryetari i fshatit Llaushë, Faik Geci, thotë se pavarësisht papunësisë së madhe, ende nuk kanë ndonjë qëndrim për këtë.
Ndërkohë, sipas Spahiajt, edhe pse Noviq është serb, ai dënon gjenocidin e Millosheviqit mbi shqiptarët e Kosovës dhe se ka ardhur të investoi në Drenicë pavarësisht këshillave që mos ta bëjë një gjë të tillë, pasi që nuk i ka duart e përlyera me gjak. Këtë ai pritet ta dëshmojë edhe duke vizituar varrin e heroit të Kosovës, Adem Jashari. /Klan Kosova/