Banka “Atom Bank” ka prezantuar një javë pune katërditore për 430 punonjësit – pa shkurtuar pagat.
Punonjësit tani punojnë 34 orë në katër ditë dhe marrin pushim të hënën ose të premten, kur më parë punonin 37.5 orë gjatë gjithë javës.
Shefi Mark Mullen i tha BBC-së se ishte frymëzuar nga pandemia dhe do të ndihmonte në përmirësimin e mirëqenies dhe mbajtjen e stafit.
Sidoqoftë, punonjësit do të duhet të punojnë më shumë orë në ditët në të cilat janë në punë, transmeton Telegrafi.
“Përpara COVID-it, njerëzit duhej të udhëtonin, të uleshin në një tavolinë gjatë gjithë ditës dhe ta përsërisnin këtë proces edhe në shtëpi gjatë pandemisë”, tha Mullen, i cili udhëheq bankën me bazë në Durham.
“COVID-19 na tregoi se nuk ishte e nevojshme…Mendoj se të bësh orarin e punës nga ora 9:00-17:00, nga e hëna në të premte është një mënyrë shumë e vjetër e punës”, shtoi ai.
Atom ishte një nga bankat e para sfiduese dixhitale në Mbretërinë e Bashkuar dhe kishte 2.7 miliardë funte kredi të dhëna për klientët në vitin e fundit financiar.
Marrëveshjet e saj të reja të punës filluan më 1 nëntor pasi një rishikim zbuloi se ato nuk do të ndikonin në shërbimin ndaj klientit ose produktivitetin. /Telegrafi/