Site icon Telegrafi

Një baba i tre fëmijëve nga El Salvadori në mesin e gjashtë të zhdukurve si pasojë e shembjes së urës së famshme në Baltimore

Miguel Luna nga El Salvadori është identifikuar si njëri nga gjashtë të zhdukurit në urën e shembur Francis Scott Key në Baltimore, ka njoftuar organizata jofitimprurëse CASA që ofron shërbime për klasën punëtore dhe familjet e emigrantëve, shkruan CNN.

“Për fat të keq zbuluam se njëri nga punonjësit në ndërtimtari ishte njëri nga anëtarët e familjes tonë CASA”, u tha ndër tjera në kumtesën e drejtorit ekzekutiv të kësaj organizate Gustavo Torres, transmeton Telegrafi.

“Miguel Luna nga El Salvadori u largua në ora 6:30 e mbrëmjes. Të hënën mbrëma u nis për në punë dhe nuk u kthye më”, u tha ndër tjera.

“Ai është bashkëshort, baba i tre fëmijëve dhe Marylandi ishte shtëpia e tij për mbi 19 vite. I tërë rajoni i Baltimore dhe familja CASA janë me familjet e viktimave dhe të gjithë atyre që janë prekur nga ky aksident i tmerrshëm”, thuhej për fund nga kjo organizatë.

Gjashtë personat e zhdukur ishin punonjës të ndërtimtarisë, që në ato momente po merreshin me riparimin e urës e cila u shemb pasi u godit nga një anije mallrash.

Dy nga punonjësit e zhdukur ishin nga Guatemala, kurse kishte edhe të nacionalitetit meksikan, vetëm se nuk dihet se për sa persona bëhet fjalë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version