Një gjë e tillë nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë amerikane: shefi i Shtëpisë së Bardhë shkarkon nga detyra shefin e FBI-së, në një kohë kur ky po drejtonte hetime, të cilat mund të bëheshin të rrezikshme për Presidentin. James Comey po hetonte përpjekjet e Rusisë për ta ndikuar fushatën elektorale në SHBA: në fund të fundit me synimin për t’i shtruar Donald Trumpit rrugën për në Shtëpinë e Bardhë dhe për të dëmtuar konkurrenten e tij, Hillary Clinton.
Javët e fundit, administrata i hodhi poshtë të gjitha kritikat se ka bashkëpunuar me Kremlinin gjatë fushatës elektorale 2016. Por hetime përkatëse të FBI-së ende po vazhdojnë. Që të shkarkosh pa marrë fund ato shefin e institutucionit të policisë, lë një shije të hidhur, politike. Tani nuk janë vetëm demokratët që druhen se Donald Trumpi do të emërojë një drejtor të FBI-së, i cili t’u japë fund shpejt hetimeve. Me këtë nuk do të dilte kurrë në dritë e gjithë e vërteta për ndikimin politik të Moskës.
Vendimi i Trumpit e dëmton besueshmërinë e institucioneve politike në Washington. Prestigji i klasës politike mund të arrijë pika të reja të ulëta, zhgënjimi nga politika do të shtohet. Presidenti gjoja dëshiron një fillim të ri për FBI. Trumpi e argumenton shkarkimin e Comeyt me sjelljen e tij në aferën e emailit rreth Hillary Clintonit. Por, këtë nuk ia beson askush, as kolegët e partisë së tij. Në fund të fundit, ishte vetë Trumpi që nuk la lëvdata pa bërë për Comeyn në këtë çështje – duke qenë se hetimet në momentet e fundit të fushatës elektorale e rënduan në mënyrë ekstreme rivalen e tij. Që ta shkarkosh shefin e FBI-së, muaj më vonë, pikërisht për këtë: është i lig ai që i vete mendja për ters.
Nxjerrja me detyrim në pension e Comeyt mund të shkaktojë një tërmet politik në Washington. Ky vendim të kujton skandalin e Watergatet. Në fund të fundit, edhe Richard Nixoni shkarkoi në fillim të viteve 1970 një hetues të posaçëm, i cili i kishte kuptuar makinacionet e tij. Por Nixonit iu desh të jepte dorëheqjen: e vërteta nuk qe e mundur të fshihej gjatë. Trumpi mund të ketë fuqinë për ta shkarkuar Comeyn. Por demokratët dhe disa republikanë, do t’i vazhdojnë kërkimet për të mësuar, nëse ekipi elektoral i Trumpit është marrë vesh me instancat ruse. Dëshmitë për këtë deri tani mungojnë. Por kjo mund të ndryshojë.