Seanca në Këshillin e Qytetit të Karlovacit përfundoi me një incident, sepse një nga këshilltarët nuk kishte maskë, raportojnë mediat kroate.
Pasi fjalimet përfunduan me këshilltarët që kishin pyetje, nënkryetarit të “Këshillit”, Filip Jarneviq nga “Muri i Gjallë”, nuk iu dha mundësia të bënte pyetje sepse nuk kishte maskë. Megjithëse ai mori rrugën për në tribunë, sepse ndoqi seancën jashtë sallës së këshillit të qytetit, ai u shty jashtë saj.
Sipas portalit “Index”, posa ai filloi të flasë, filloi indinjata dhe Jarneviq iu kundërpërgjigj anëtarëve të HDZ-së, duke thënë se ishte një diktaturë e tyre, transmeton Telegrafi.
Jarneviq foli për një kohë, dhe pastaj në një moment një anëtar i HDZ-së, këshilltar i qytetit dhe president i Shoqatës së Sporteve të Qarkut, Zelimir Feitl erdhi tek Jarneviq nga pjesa e prapme e sallës, dhe siç thuhet më tej, ai “vuri mikrofonin para hundës së tij, e kapi atë për shpatull dhe filloi ta shtynte nga podiumi”.
“Mos më shty, tani edhe sulmi fizik, këto janë metodat diktatoriale. A dëshiron të më mundësh edhe më shumë?”, pyeti Jarneviq.
Në atë moment, Kryetari Mandiq u kthye në foltore, kështu që Feitl u tërhoq dhe Jarneviq hoqi dorë nga fjalimi i mëtejmë. /Telegrafi/