Në një intervistë për Telegrafin, artisti i mirënjohur Vlashent Sata ndau detaje rreth organizimit të edicionit të tretë të Za Festival, projekteve të tij muzikore dhe pikëpamjeve të tij mbi industrinë e muzikës. Me një entuziazëm të dukshëm dhe përkushtim të madh, Vlashenti foli për angazhimet e tij të fundit dhe planet për të ardhmen.
“Kam ardhur në Prishtinë për promovimin e Za Fest-it. Ky është edicioni i tretë dhe sot gjithashtu po promovoj këngën time të re”, shpjegon Vlashenti. Za Festi këtë vit shënon një moment të veçantë, duke u rritur në një shkallë të madhe dhe duke tërhequr vëmendje të gjerë. “Është hera e parë që realisht kemi rritur shumë festivalin dhe ka marrë një vëmendje shumë të madhe. E shohim në interesin e njerëzve për biletat dhe rezervimet në hotele”, shtoi ai.
Festivali do të mbahet në Shkodër më 18 korrik, në qytet, dhe më 19 dhe 20 korrik në Kalanë e Rozafës. “Këtë vit do të kemi artistë të mëdhenj si Gipsy Kings, Yll Limanin, Bim Bimmën, Elsa Rraqin, Çun Lajqin, dhe shumë të tjerë. Do të kemi një natë të dedikuar vetëm për Kosovën më 19 korrik në Kala”, tha Vlashenti, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së artistëve nga Kosova.
Një nga projektet më të rëndësishme të Vlashentit është kënga e tij e re, për të cilën ka punuar për katër muaj. “Kam punuar mbi tekstin, muzikën dhe orkestrimin. Merr shumë kohë që çdo segment të jetë i kopsitur para se të kaloj te segmenti tjetër”, shpjegoi ai. Përveç angazhimeve në Shqipëri dhe Kosovë, Vlashenti ka plane edhe për Nju Jork.
“Kam gjithmonë përfaqësuar shqiptarët e Kosovës ose të Malit të Zi në evente të ndryshme, dhe tani ka disa ftesa për në Amerikë. Dëshiroj që këto të jenë struktura të mirëfillta, jo thjesht çështje të organizuara shpejt e shpejt”, theksoi ai.
Një nga ambiciet e tij më të mëdha është të sjellë Za Fest-in në Kosovë gjatë dimrit. “Do të doja shumë të organizoja një koncert të madh në Kosovë dhe të sillja Za Fest-in këtu. Do të ishte një mundësi fantastike për të kënduar për njerëz të ndryshëm dhe për të ndarë muzikën time me ta”, tha Vlashenti me entuziazëm.
Gjatë intervistës, Vlashenti ndau edhe disa mendime personale mbi industrinë e muzikës. “Ndonjëherë ndjej se nuk vlerësohem aq sa duhet nga disa njerëz. Pyetem pse nuk më vlerësojnë këta njerëz? Por gjithmonë përpiqem të jem pozitiv dhe të fokusohem te puna ime”, përfundoi ai.
Za Festival dhe projektet muzikore të Vlashentit premtojnë të sjellin një valë të re energjie dhe kreativiteti në skenën muzikore shqiptare dhe ndërkombëtare. Me përkushtimin dhe pasionin e tij të pakompromis, Vlashenti vazhdon të inspirojë dhe të sjellë risi në industrinë e muzikës. /Telegrafi/