Autoritetet gjermane kanë arrestuar një burrë me lidhje të dyshuara me grupin ekstremist ISIS, i cili dyshohet se po planifikonte një sulm ndaj ambasadës izraelite në Berlin.
Bëhet e ditur se burri u arrestua në Bernau, një qytet jashtë Berlinit.
Agjencia gjermane e lajmeve dpa raportoi se i dyshuari pritet të dalë para Gjykatës Federale të Drejtësisë në Karlsruhe, gjykata më e lartë e vendit.
Një zëdhënës i ambasadës izraelite në Berlin konfirmoi se kishte pasur një plan për të sulmuar misionin diplomatik, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Ambasadori izraelit Ron Prosor falënderoi autoritetet gjermane të sigurisë “për garantimin e sigurisë së ambasadës”.
Lajmi për rastin erdhi fillimisht nga gazeta gjermane Bild, e cila raportoi se një njësi policore elitare e armatosur rëndë sulmoi apartamentin e të dyshuarit në Bernau dhe se policia bastisi gjithashtu një apartament në qytetin perëndimor gjerman të Sankt Augustin në lidhje me rastin.
Sipas Bild, autoritetet gjermane vepruan pasi morën një informatë nga një agjenci e huaj e inteligjencës e paspecifikuar. /Telegrafi/