Alketa Berzani, psikologe
Njerëzit kanë ide nga më të ndryshmet mbi faktin se si ndikon një gjuhë e dytë ose e tretë në zhvillimin e fëmijës. Kjo gjë ndikon edhe profesionistët, mjekët, psikologët, edukatorët, mësuesit, terapistët e të folurit mbi rekomandimet që u japin prindërve dhe fëmijëve, të cilët rriten në një mjedis dygjuhësh.
Shpeshherë prindërit tremben mbi pasojat që mund të ketë një gjuhë e dytë apo e tretë në rritjen e fëmijës, si pasojë krijohen mite.
Dygjuhësia shpeshherë është një nevojë dhe jo një zgjedhje
Me idenë që mjedisi dygjuhësh është një zgjedhje e prindërve për fëmijët e tyre, ka mjaft debate mbi avantazhet dhe disavantazhet e dygjuhësisë. Por shpeshherë, të rritesh në një mjedis ku përdoren dy gjuhë nuk është një zgjedhje. Për shembull, marrim rastet kur fëmijët shqiptarë së bashku me familjet e tyre emigrojnë në vendet tjera. Atëherë fëmijët në shtëpi dëgjojnë e flasin shqip, ndërkohë që në rrugë, kopsht apo dyqane, dëgjojnë dhe duhet të flasin gjuhë të huaja. Të tjerë mund të rriten në vende ku flitet më shumë se një gjuhë, p.sh. në Zvicër. Të gjithë këta individë e kanë të nevojshëm mësimin dhe përdorimin e dy apo më shumë gjuhëve.
Disa terapistë të të folurit apo mjekë i këshillojnë prindërit që flasin më tepër se një gjuhë me fëmijët e tyre të vegjël, të ndalojnë së përdoruri njërën prej tyre. Zakonisht, gjuha që duhet ndaluar së përdoruri me fëmijën është gjuha më pak e përdorur në mjedisin përreth fëmijës dhe familjes.
Ka dy arsye pse jepen këto këshilla. Së pari, specialistët besojnë se të dëgjuarit e më shumë se dy gjuhëve në fëmijëri mund ta bëjë fëmijën konfuz dhe të shkaktojë probleme të rënda në përvetësimin e gjuhës. Së dyti, specialistët besojnë se përvetësimi i gjuhës kryesore që përdoret në mjedisin përreth ose shtetin përkatës, ka më tepër mundësi të ndodhë mirë dhe shpejt në rast se nuk konkurrohet nga gjuhë të tjera.
Gjithsesi, nuk ka fakte shkencore se dëgjimi i dy apo më shumë gjuhëve shkakton vonesë ose çrregullime në të folur. Shumë fëmijë në mbarë botën rriten në një mjedis ku dëgjojnë dy apo më shumë gjuhë dhe nuk shfaqin asnjë shenjë të vonesës apo çrregullimeve të të folurit. Këta fëmijë janë prova e gjallë që nuk ka një lidhje shkakore midis mjedisit dygjuhësh dhe problemeve gjuhësore.
Gjithashtu, nuk ka fakte shkencore që ndalimi automatik i të folurit të një gjuhe ka efekt pozitiv në mësimin e gjuhës tjetër. Në fakt, teknikat mësimore kanë treguar se ndërtimi i shprehive të fëmijës në një gjuhë ndihmon përvetësimin e një gjuhe të dytë. Nga ana tjetër, gjuha është ngushtësisht e lidhur me emocionin, ndjenjat dhe identitetin.
Në rastin kur nëna e një 3-vjeçari ndalon së komunikuari me të në gjuhën tipike të përdorur më parë në familje, veçanërisht në rast se nëna nuk i përgjigjet kërkesave që fëmija bën në atë gjuhë, kjo situatë mund ta bëjë fëmijën të ndihet emocionalisht i braktisur dhe krejtësisht i humbur. Në fakt, ndalimi brutal i të folurit të gjuhës së përdorur më parë nga prindërit në shtëpi, mund të shkaktojë vështirësi të mëdha emocionale dhe psikologjike tek prindërit dhe fëmijët.
Përdorimi i dy gjuhëve brenda fjalisë nga ana e një fëmije nuk është shenjë konfuzioni
Shpeshherë vihet re se fëmijët që mësojnë më shumë se sa një gjuhë, kalojnë një fazë miksimi dhe konfuzioni të këtyre dy gjuhëve. Përdorimi i dy gjuhëve brenda së njëjtës fjali, nga ana e fëmijës, shpesh merret si pamundësi e fëmijës për të dalluar gjuhët nga njëra-tjetra. Në realitet, kjo nuk është shenjë konfuzioni, por tregues i aftësive të përparuara gjuhësore. Fëmijët, të cilët janë në gjendje të përdorin dygjuhësinë brenda fjalisë, mund të përdorin edhe fjali njëgjuhëshe, pra është një evidencë e aftësisë së tyre për të dalluar dhe veçuar gjuhët nga njëra-tjetra.
Atëherë, në cilat rrethana fëmija përdor fjalë të të dyja gjuhëve brenda të njëjtës fjali?
Fëmijët flasin në dy gjuhë gjatë një bisede me dikë që mund t’i njohë këto dy gjuhë dhe që nuk bezdiset nga një gjë e tillë (lidhje emocionale). Pra, është mjaft i rëndësishëm konteksti social ku fëmija e realizon miksimin e gjuhëve brenda së njëjtës fjali apo bisedë. Kjo gjë vlen për fëmijët njësoj si për të rriturit. Ata përdorin dy gjuhët vetëm në raste sociogjuhësore të përshtatshme. /Telegrafi/