Një burrë i akuzuar si një i arratisur amerikan, i cili falsifikoi vdekjen e tij për të shmangur një akuzë për përdhunim, është paraqitur në një gjykatë në Skoci.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, autoritetet amerikane duan të ekstradojnë burrin, i cili sipas tyre quhet Nicholas Rossi, për një akuzë përdhunimi në shtetin e Utah.
Por i dyshuari pretendon se emri i tij është Arthur Knight.
Gjykata dëgjoi se identiteti i tij do të trajtohej në një seancë të plotë në maj.
Siç vënë në pah mediat, të enjten, i akuzuari mbërriti për një seancë paraprake në Edinburgh Sheriff Court në një karrocë dhe me një maskë oksigjeni.
Ai shkroi shënime në një bllok gjatë seancës dhe u përpoq të fliste disa herë, por fjalët e tij nën maskën e oksigjenit ishin të padëgjueshme, sipas Daily Record.
Autoritetet amerikane thonë se i arratisuri Nicholas Rossi falsifikoi vdekjen e tij për të shmangur ndjekjen penale për akuzat që datojnë që nga viti 2008.
Rossi u tha mediave amerikane në dhjetor 2019 se ai kishte “një sëmundje në fazën e fundit dhe kishte disa javë për të jetuar”.
Disa media raportuan se ai kishte vdekur në shkurt të vitit 2020, duke cituar uebsajtin e përkujtimeve EverLoved.com.
Por Rossi u kap në Skoci pasi u sëmur rëndë me Covid-19 në Spitalin Universitar Queen Elizabeth në Glasgow në dhjetor.
Muajin e kaluar prokurorja Jennifer Johnston tha se policia dhe stafi i spitalit e identifikuan burrin si Rossi nga tatuazhet në trupin e tij. /Telegrafi/