Ata që jetojnë në SHBA do të kenë një alarm në celularin e tyre këtë të mërkurë në orën 14:20 (sipas kohës lokale).
Kjo pasi që, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, qeveria federale ka thënë se do të kryejë të mërkurën pasdite një test mbarëkombëtar të sistemit të saj të alarmit të urgjencës.
Kështu, do të dërgohet një alarm urgjence në të gjitha radiot dhe televizionet, si dhe alarme për të gjithë telefonat celularë të konsumatorit.
“Qëllimi i testit të 4 tetorit është të sigurojë që sistemet të vazhdojnë të jenë mjete efektive për të paralajmëruar publikun për emergjencat, veçanërisht ato në nivel kombëtar”, citohet të ketë thënë në një deklaratë, Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave, e cila po kryen testin në koordinim me Komisionin Federal të Komunikimit.
Në këtë drejtim bëhet e ditur se mesazhi me tekst falas do të dërgohet në anglisht ose spanjisht, në varësi të cilësimeve të gjuhës së pajisjes.
Teksti do të shoqërohet me një ton dhe dridhje unike që synon ta bëjë alarmin të qasshëm për të gjithë publikun, përfshirë njerëzit me aftësi të kufizuara.
Siç ka thënë agjencia, nuk kërkohet asnjë veprim nga ata që marrin alarmin.
Testi i së mërkurës është caktuar të jetë testi i shtatë mbarëkombëtar i Sistemit të Sinjalizimeve Emergjente – sinjalizimet që dërgohen përmes transmetuesve radio dhe televizion.
Ai është testi i tretë mbarëkombëtar i sinjalizimeve të urgjencës me valë, por vetëm i dyti që dërgohet te pajisjet celulare të konsumatorit. /Telegrafi/